Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 7 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në një konferencë për media pas takimit me përfaqësues të partive politike, Haxhiu tha se këtë vendim e mori pas disa vlerësimeve.
“Ndërsa sot, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, para pak kohësh përfundova takimin me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike. Pra, në këtë takim ishin të ftuara 17 parti politike; të pranishme ishin 15 prej tyre. Dëgjova propozimet e partive politike për datën e zgjedhjeve. Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha ajo.
Data e zgjedhjeve, Hamza: Shumica e përfaqësuesve politikë ishin për 7 qershorin
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se data më e kërkuar për të mbajtur zgjedhjet ishte 7 qershori, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, ai tha se PDK do ta respektojë cilëndo datë.
“Shumica e përfaqësuesve kanë qenë për datën 7, por ne do të shohim tutje. PDK është gati për zgjedhje”, tha Hamza.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë ajo data 31 apo data 7, kështu që ne jemi të përgatitur, të jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të respektojmë afatet ligjore dhe kushtetuese”, tha ai.
Lushaku – Sadriu: LDK propozoi 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve
Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se mbrëmë ka pasur një fushatë propaganduese ndaj këtij subjekti politik, duke akuzuar për përfshirje të disa eksponentëve që sipas saj kanë shpërndarë përmbajtje në gjuhën serbe.
“Ne kemi qenë dëshmitarë që mbrëmë në mesnatë ka pasë një fushatë, një fushatë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës me gjasë disa eksponentë të cilët po udhëheqin propaganda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë gjeneru postime të ndryshme në gjuhën serbe, kanë dhënë deklarata”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu ka folur edhe për datën e zgjedhjeve, duke bërë të ditur se LDK-ja mbështet 7 qershorin, në përputhje me kërkesat dhe kapacitetet organizative të institucioneve përgjegjëse.
“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, dhamë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data e 7 qershorit si datë e zgjedhjeve. Meqë ishte poashtu një arsyetim që KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, për shkak që i nevojitet më shumë kohë për mobilizim të strukturës së saj për organizim sa më profesional të zgjedhjeve dhe normalisht që ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë dhe jemi dakord me datën 7 qershor”, tha ajo.
Ajo ka bërë të ditur se detajet për programin dhe organizimin partiak do të prezantohen nga zyra e partisë në periudhën në vijim.
“Të gjitha këto pyetje partiake, nga tash e tutje nga zyra e partisë. Do të ketë një platformë e cila do të prezantohet në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gjitha detajet pastaj do t’i merrni në kohë. Normalisht që deri këtu kemi thënë që ne jemi të synuar që t’i japim Kosovës një vizion tjetër, një bashkim të së djathtës, e cila do të ketë një vizion zhvillimor, një program zhvillimor për Kosovën, për një Kosovë që i forcon aleancat ndërkombëtare, që prezanton projekte zhvillimore, hap vende pune dhe jo që ta lë vendin në sanksione dhe në skema sociale. Prandaj besoj shumë që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë risi edhe do t’i mbështesin ata që dinë të qeverisin dhe ata që ua rregullojnë jetën atyre”, tha ajo.
Gjini: Ka dakordancë që më 7 qershor të mbahen zgjedhjet
Kryetari i Gjakovës, nga radhët e AAK-së Ardian Gjini, ka thënë se është propozuar për kandidat për kryeministër dhe bartës të listës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar pritet të merret nga Këshilli Drejtues i partisë, raporton Ekonomia Online.
“Subjektet politike kanë qenë në dakordancë pothuajse të plotë që, datat të sillen me qe te jetë 7 qershori. Edhe ne jemi pajtu edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, me thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershori”, tha ai.
Ai ka folur edhe për datën e mundshme të zgjedhjeve, duke theksuar se ekziston një pajtueshmëri e gjerë mes subjekteve politike për 7 qershorin.
“Kështu që, zgjedhjet janë një shans, po që pak kush i ka dashtë tash, po zgjedhjet janë një shans, një shans për vendin. Edhe ne po bëhemi gati me ia dhanë Kosovës atë që i duhet, me ia dhanë një stabilitet, me ia dhanë një rrugë të zhvillimit. Edhe po besoj që populli i Kosovës duhet me e shfrytëzu këtë shans për zgjedhje, sipas të gjitha gjasave, të datës 7 qershor”, tha ai.
Gjini e ka cilësuar procesin zgjedhor si një mundësi për vendin, ndonëse sipas tij, jo e dëshiruar nga shumëkush në këtë moment./eo


















