Jakup Krasniqi do të qëndrojë edhe sot në gjirin familjar, teksa vizita e tij tashmë ka nisur.
Krasniqi u bart sot nga selia e EULEX-it drejt shtëpisë së tij, nën masa të rrepta sigurie.
Policia e EULEX-it bllokoi përkohësisht rrugën, derisa autokolona që barte Krasniqin, e shoqëruar nga një autoambulancë, doli nga selia.
Krasniqi arriti dje në Kosovë, për të vizituar bashkëshortën e tij, e cila raportohet se është e sëmurë.
Nga Dhomat e Specializuara, dje thanë për IndeksOnline se vizita e tij ka “arsye humanitare”.
“Për momentin, e vetmja gjë që mund të them është se kjo erdhi si pasojë e arsyeve të forta humanitare. Pala e akuzuar mund të paraqesë një kërkesë të tillë, siç e dini, dhe më pas gjyqtarët, duke u mbështetur në rregullat e gjykatës si dhe në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, marrin një vendim me urgjencë dhe profesionalizëm” pohoi zëdhënësi i DHS-së, Michael Doyle.
I pyetur se për sa ditë i është dhënë leja për qëndrim Krasniqit, Doyle tha:
“Ndoshta më vonë – siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, pasi të jenë kryer vizitat – do të bëhen publike më shumë informacione, përfshirë ato në dokumentet gjyqësore. Për momentin, nuk jam në gjendje të jap detaje të tilla operative. Siç e përmenda, informacione të tilla zakonisht bëhen publike më vonë. Nuk mund të jap më shumë informacione; mund të them vetëm se bëhet fjalë për arsye të forta humanitare.”
Hera e fundit kur Krasniqi ishte në Kosovë, ishte tetori i vitit 2024.
Ai u dënua më 25 vjet burg në aktgjykimin e 16 shtatorit të këtij viti.
































