Iu gjetën mbi 200 kg mish me cilësi të dyshimtë, policia e arreston një person në Fushë Kosovë

E publikuar: 12/10/2021 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një person në Fushë Kosovë është arrestuar pasi iu janë gjetur mbi 200 kilogramë mish me cilësi të dyshimtë pasditen e së martës.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, derisa ka njoftuar se rreth 120 kilogramë janë gjetur në një qebaptore në rrugën “Hajrulla Zymi”, derisa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur edhe 50 kilogramë të tjerë mish.

“Njësitet policore të stacionit të Fushë Kosovës dhe inspektorët e Agjensisë së Veterinës dhe Ushqimit (AUV), menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në lokalin e cekur kanë gjetë një sasi të mishit (rreth 120 kg), pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent apo enti i autorizuar, pa dokumente të prejardhjes dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit të afatit”, u tha në njoftimin e Policisë.

“Gjithashtu, në oborrin e shtëpisë së personit të dyshuar,, në Lagjen Emshir, në Prishtinë, në një depo, nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, është gjetur një sasi rreth 50 kg mish, pa dokument të prejardhjes, apo datën e skadimit, i cili ishte vendosur në një kuti plasitke dhe njësasi tjetër e mishit në një friz”.

Policia ka bërë të ditur se sasia e mishit është bllombuar deri në krijimin e kushteve për asgjësim.