
Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, ka përkujtuar sot Dëshmorin e Kombit, Bahri Fazliu, në 27-vjetorin e rënies së tij. Në një postim publik, Isufi ka theksuar rolin e Fazliut si luftëtar i përkushtuar për liri, njëkohësisht i penës dhe i pushkës.
“Bahriu ishte i penës e i pushkës,” shkroi Isufi, duke shtuar se veprën e tij e nderuan bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë që vazhduan rrugën e tij.
Ai gjithashtu përmendi edhe Fadilin, bashkëluftëtarin që tradicionalisht merr pjesë në këtë përkujtim, por që këtë vit mungoi për shkak të ndalimit në Gjykatën Speciale. “Presim bashkë me shokët të na kthehet fitimtar, sepse ai e ka vendin në familje e në shoqëri, në Atdhe,” tha Isufi.
Postimi përmbyllet me nderim dhe mirënjohje për jetën dhe veprën e Bahri Fazliut: “Lavdi Heroit të Kombit, Bahri Fazliu!”.