Inspektorati i Tregut dënon tri pompa për mosrespektim të çmimeve tavan, kontrollohet edhe çmimi i bukës

E publikuar: 28/06/2022 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati i Tregut ka njoftuar se janë inspektuar 22 pika të karburanteve, e në 3 prej tyre janë konstatuar se nuk janë duke u respektuar masat e MINT-it dhe kësisoj janë dënuar.

“Gjatë inspektimeve të realizuara nga inspektorët e tregut të MINT në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, ka rezultuar që nga 22 pika të karburantit të inspektuara, te 19 Operatorë Ekonomikë është konstatuar që janë duke respektuar çmimet maksimale të lejuar, kurse 3 Operatorë Ekonomikë nuk kanë respektuar përcaktimin e çmimeve, prandaj të njëjtët janë urdhëruar që menjëherë të rregullojnë çmimet sipas njoftimit të MINT dhe ndaj tyre janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e shpërndarë edhe nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Po ashtu, bëhet e ditur se është kontrolluar çmimi i bukës në Gjilan dhe do të vlerësohet më tej se a ka pasur bazë për rritje të çmimit të bukës nga 0.50 euro në 0.60 euro.

“Gjithashtu në komunën e Gjilanit, inspektorët e tregut në bashkëpunim me inspektorët e metrologjisë dhe inspektorët e tregut në nivel komunal, kanë inspektuar disa Operatorë Ekonomikë/Furra të Bukës, me qëllim të verifikimit të çmimeve të bukës. Me këtë rast është konstatuar që ka ngritje të çmimit të bukës prej 0.50 € në 0.60 €. Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si miell, vaj etj, është ngritje artificiale apo të pajustifikueshme. Pas vlerësimit do të merren masa në pajtim me legjislacionin në fuqi”

“Ftojmë qytetarët që për çdo parregullësi në treg të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit (MINT) në numrin e telefonit 0800 11 000 apo në platformën”, përfundon njoftimi.