Ikën Astrit Nallbani, Egbo trajner portierësh te Tirana

E publikuar: 13/08/2015 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tirana largon Astrit Nallbanin, personin e fundit të mbetur nga stafi i vjetër teknik që pas mbërritjes së Shkëklqim Mucës. Trajneri i portierëve te bardheblutë, pas rreth dy dekadash në këtë detyrë, ka shkëputur marrëdhëniet me klubin kryeqytetas, duke ia lënë vendin Emanuel Egbosë, i cili ishte bërë pjesë e 24-herë kampionëve të Shqipërisë që kur skuadra drejtohej nga Gugash Magani. Burime pranë Tiranës konfirmojnë se kjo lëvizje ka qenë e paramenduar nga klubi, por pritej thjesht momenti i përshtatshëm që të bëhej realitet.

Te Tirana i hedhin poshtë zërat se largimi i Astrit Nallbanit ka të bëjë me detyrimet financiare të klubit, duke kujtuar se kjo nuk ka logjikë në kohën kur u zyrtarizua një blerje shumë e rëndësishme, sikurse është Erjon Vucaj.

Emanuel Egbo, i cili ka marrë vendin e lënë bosh nga Nallbani, ka qenë portier i bardhebluve në periudhën 2001-2004, ndërsa në sezonet 2007-2011 ka mbrojtur portën e Bylisit. Pasi vari këpucët në gozhdë Egbo punoi fillimisht si ndihmëstrajner dhe trajner portierësh te skuadra ballshiote, ndërsa në sezonin 2013-2014 ishte trajner i parë pas largimit të Naxhi Shensojit.