Historia e dashurisë së deputetit me gazetaren, si lindi nga një rastësi ekrani

E publikuar: 28/02/2018 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çfarë nuk kanë rrëfyer, episode, situata e rastësi të çuditshme që, pas shumë vitesh, i ndajnë me nostalgji edhe me publikun.


Pasditen e sotme, në “Rudina” ishin për të rrëfyer historinë e tyre të dashurisë Milaim Zeka dhe Edlira Qefalia. Bashkë që nga viti 2005, sot ata kanë shumë me vitet.
Njohja ishte krejt e rastësishme, por natyrisht nuk mund të mendohej jashtë gazetarisë. Në atë kohë, Eda ishte prezantuese moti në Alsat, por Milaimi nuk e ndiqte kurrë parashikimin e motit, madje as sot nuk ka as interesin më të vogël për të mësuar për të nga ekrani: “Edën e kisha parë nga televizori, ka qenë prezantuese e motit. Unë nuk e shoh kurrë motin, as nuk mbaj kurrë ombrellë, por në Suedi, isha bashkë me një mikun tim që, pasi e pa Edën, më tha: “Aman, a mund të pi ndonjëherë kafe me këtë gocën…” – tregon mes të tjerash Zeka.

Rrethanat u krijuan dhe, pasi erdhi në Shqipëri dhe takoi Edën në Alsat, Milaimi, së bashku me miq të tij, kaluan disa orë: “Erdhëm në Shqipëri, në Alsat, u takuam, ndenjëm dy orë duke biseduar dhe pas dy orëve, unë e pyeta “A ke ndonjë lidhje serioze që po don me u martu?”
Që në takimin e parë, Eda s’kishte si të besonte një “çmenduri” të tillë të Milaimit, por ai e kishte ndarë trurin. Pasi ajo i ktheu përgjigjen se pyetja “është shumë personale”, ai i propozoi martesë. Ç’mund të mendoje tjetër pas kësaj? “Je gjë i çmendur?” e pati pyetur Eda në atë kohë, por Milaimi, si të gjithë gjërat me vlerë në jetë, që i ka bërë pa u menduar gjatë, këtë përgjigje ktheu edhe tani: “Gjërat e mëdha në jetë i kam bërë pa u menduar…” – thotë ai i bindur se kjo është një ndër cilësitë më të çmuara që mund të ketë njeriu.

Eda i propozoi të mendohej, por Zeka ishte i bindur se, nëse do të mendoheshin të dy, nuk kishin për t’u martuar kurrë. “As vetë nuk e di se si e gjeta veten pas dy javësh të fejuar”, – thotë Eda me të qeshur kur kujton historinë.  

Nuk ishte aq kollaj edhe për të fituar ‘pikët’ te vjehërria. Nëna e Edës, kolonjare, e shikonte paksa me habi dhëndrin që kishte marrë një ‘valixhe’ në dorë dhe kërkonte nuse. Megjithëse ajo mendonte se gocën e kishte yll dhe s’mund ta linte aq lehtë në dorën e kujtdo, Milaimi, me të vetën, ishte një yll e gjysmë, ndaj nuk pranonte refuzim….

Kështu, 13 vjet më pas, Milaimi dhe Eda janë njëlloj të lumtur, madje edhe me dy vajza engjëllore Ema Li dhe Amelia Iden, të cilat e kanë plotësuar kurorën e dashurisë. Familja jeton në një trekëndësh mes Prishtinës, Tiranës dhe Suedisë, por në këtë të fundit kanë aktualisht qëndrimin. Eda, krahas projekteve në fushën e gazetarisë, punon edhe pranë Bankës Botërore, ndërsa Milaimi, aktiv gjithmonë në gazetari, tashmë është edhe deputet i Nisma, në Kosovë.