Haxhiu: U dyfishuam në komuna si në zgjedhjet qendrore

E publikuar: 23/10/2017 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka shkruar një postim në Facebook duke thënë se Vetëvendosje janë të parët dhe do të vazhdojnë të kërkojnë fitore edhe në komunat që kanë shkuar në balotazh.

“Qytetarët e Prishtinës i dhanë krahë Shpendit. Tashmë jemi të parët dhe jemi dyfishuar edhe në Asamblenë Komunale. Do të vazhdojmë me mendje e me zemer për Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Podujevën, Dardanën dhe Kaçanikun. Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare edhe në Vushtrri”, ka shkruar Haxhiu.

“Siç jemi dyfishuar me 11 qershor në nivel qendror, jemi dyfishuar edhe në nivel lokal krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013 sepse gjithkund, zgjedhjet lokale maten me zgjedhjet lokale, siç maten zgjedhjet parlamentare midis tyre”, ka shtuar më tej Haxhiu, duke thënë se “nuk e kupton krekosjen e subjekteve që kanë shënuar rënie të madhe nga zgjedhjet lokale të vitit 2013”.

“Fakti se krekosen për vendin e dytë në bastionet e tyre të dikurshme, si në Prishtinë, flet më së miri për gjendjen e tyre të përpjekjes për të shpëtuar atë që ju ka mbetur”, ka thënë ajo.