“Haradinaj nuk takon askënd nga Serbia në Bruksel”

E publikuar: 16/11/2017 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk do ta takojë askënd nga Serbia në vizitën e tij të parë zyrtare, që po e zhvillon sot me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Bruksel. Në këtë takim, ku e pranishme është edhe homologia e tij serbe, Ana Brnabiq, mohohet se në mes të dy kryeministrave të ketë mundësi për ndonjë kontakt, qoftë ai edhe rastësisht. Avni Arifi thotë për Express se Haradinaj nuk do ta takojë askënd nga shteti serb që është i pranishëm në takimin e sotëm.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, fluturoi sot për në Bruksel, ku si pjesë kryesore e agjendës së tij do të jetë diskutimi për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Për të njëjën situatë, i ftuar atje është edhe delegacioni serb, i kryesuar nga kryeministrja serbe Ana Brnabiq, takimi ky i katërt me radhë në mes të BE-së dhe Serbisë për implementimin e MSA-së.

Pavarësisht vendqëndrimit të njëjtë, nga Qeveria Haradinaj mohojnë se në mes të dy kryeministrave ka gjasa të ndodhë një takim, qoftë ai i rastësishëm.

Avni Arifi, i cili është në Bruksel, së bashku me Kryeministrin Ramush Haradinaj tha të enjten për Express, se kreu i Qeverisë nuk do të takojë askënd nga Serbia, duke iu referuar edhe kryeministres serbe në këtë rast. “Kryeministri i Kosovës nuk do të takoj askënd nga Serbia”, u shpreh ai.

Dje Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shqyrtuar dhe aprovuar dokumentin për qëndrimin shtetëror, në takimin e dytë në Bruksel, për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

“Dokumenti përkushtimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të vitit 2016, si thelb të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Fokusi në zbatim është edhe udhërrëfyes i Kosovës drejt arritjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili mbetet prioritet kryesor i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e djeshëm të Qeverisë së Kosovës.

E në takimin në Bruksel, nuk dihet nëse kryeministri do ta shfrytëzojë këtë vizitë që të diskutojë atje çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. /GazetaExpress/