Haki Rugova: Fitorja e LDK-së në Istog është e sigurt

E publikuar: 02/11/2017 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova ka thënë se rezultati nga raundi i parë i zgjedhjeve –  shkuarja në balotazh nuk ka qenë i pritshëm.

“Kam pritur më shumë”, ka thënë ai.

“Rezultati nuk garanton fitore të sigurt, do të ketë fitore të sigurt”, ka deklaruar Rugova, njofton Klan Kosova.

“Përkundër shumë përpjekjeve nga të gjitha anët që Istogu mos të jetë bastion I LDK-së, unë ju premtojë se do të jetë edhe më tutje bastion”.

Rugova ka thënë se për bashkëpunime të mundshme bisedohet por se deri tash nuk ka ndonjë marrëveshje formale.

“Nuk vendosin liderët, por janë qytetarët që japin vendimin e tyre me votën e tyre të lire”, ka shtuar ai.

Uji dhe kanalizimi:

Rugova ka thënë se është i fokusuar në infrastrukturë në përgjithësi.

“Çështja e ujit, e ujësjellësve dhe kanalizimit,por edhe problemet me lumenj që ka Istogu”.

“Në konceptin tonë kemi paraparë që ta përmbyllin komplet territorin me rrjet modern të kanalizimit. Vetëm katër fshatra na kanë mbetur pa rrjet të ujësjellësit dhe kjo do të kryhet në mandatin e ri. Istogu do ta ketë një ujësjellës të kompletuar”.

“Kemi projekte të vogla që kemi paraparë me buxhet, kurse për projektin e madh aty është finalizuar marrëveshja e akreditimit me austriakët. Ajo është në zyrat e qeverisë dhe pres vetëm nënshkrimin e ministrit të financave. Çdo fshat duhet ta ketë kanalizimin”.

“Sa për shpërndarjen e gypave tash, janë bërë në bazë të projekteve dhe asgjë nuk ka dalë jashtë listës dhe do të vazhdojmë me projektet e miratuara dhe nuk kemi dalë jashtë vijave. Po plasohen dezinformata”, është shprehur ai.

Rrugët dhe parkingjet:

“Te çështja e rrugëve kërkesat e qytetarëve janë në zvogëlim pasi rrugët janë në përfundim. Kontratat për rrugët që duhet shtuar janë të lidhura dhe do të vazhdojnë në pranverën e vitit të ardhshëm”.

“Rrugët e vogla do të përfundojnë në tërësi. Brenda katër viteve nuk do të ketë lagje dhe fshat që nuk do të ketë rrugët e kompletuara. I kemi disa parkingje dhe kemi ide për një parking më të madh. Verës po ka pak më shumë telashe por në sezonat tjera jo. Edhe qytetarët shkelin rregullat ndonjëherë”, ka thënë ai.

“Është e vërtetë që ka nevojë për trotuare, por duhet vlerësuar koston. Ka kërkesa edhe nga fshatrat. Ka rrugë që është ndërtuar para 15 viteve dhe nuk ka asnjë gropë. Ka rrugë kur ka pasur edhe dështime por 90% janë të qëndrueshme”, ka thënë ndër të tjera Rugova.