Godinën e mbajti, por vetë u muros në kryeministri

E publikuar: 08/01/2022 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Andi Bejtja

Shumë demokratë, ndoshta dhe gabimisht, 8 Janarin e cilësuan si betejë për godinën, por dhe ata vetë ndoshta akoma nuk janë të ndërgjegjshëm se, sot vërtet nuk arritën të merrnin Selinë Zyrtare të Partisë Demokratike, por në fakt murosën përfundimisht Lulzim Bashën.

Nga sot mund të ketë ndonjë socialist që mund të votojë Lulzim Bashën, Grida Dumën apo Salianjin, por demokratë vështirë. Sot godina vërtet nuk u mor, por Basha u muros njëherë e mirë në Kryeministrinë e Edi Ramës.

Sot Aleanca e Gazit, gaz nga mercenarët në PD, gaz nga policia jashtë PD-së, nuk vërtetuan thjesht atë që demokratët e thjeshtë e kanë ndjerë me kohë.

Sot Aleanca e Gazit ishte radiografia më e mirë dhe e ‘Non Gratës’ së Berishës, që personalisht mendoj më shumë se kudo, arkitektët e kësaj ‘non grate’ i gjen të Aleanca e Gazit.

Në këto kushte dhe vetë Berisha ka një mision e një përgjegjësi, shumë më të madh nga ç’mund të jetë nisur në fillim. Nga sot e tutje kjo betejë është përtej godinës së PD-së, përtej dinjitetit të Sali Berishës: Sot u hodh betoni i parë i opozitës ‘jo fake’ dhe ‘jo fasadë’.

Të shohim sa shpejt dhe sa lart do ngrihet godina dhe fundja e fundit, për hir të së vërtetës nën një toke ku plehun ia hedhin gjithë institucionet e kapura, prokurorët, gjykatësit, mediat e kapura….

Nga sot duhet vizion tjetër dhe strategji tjetër, përtej godinës së PD.