Gjykimi ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve, 14 të akuzuar mbrohen në heshtje

E publikuar: 12/10/2021 11:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

14 të akuzuar, në rastin ku së bashku me ish-kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafën dhe 22 të tjerë akuzohen për korrupsion me tendera, do të mbrohen në heshtje.
Në seancën e së martës, para se të vazhdonte dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve në këtë rast, e cila fazë ka nisur një ditë më parë, më 11 tetor, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj ka kërkuar nga të akuzuarit të deklarohen nëse do të japin mbrojtjen e tyre apo do të mbrohen në heshtje.

Kështu, të akuzuarit Avdyl Pireva, Fadil Osmani, Ibrahim Foniqi, Rrustem Hajdari, Mehdi Ahmeti, Enver Biqku, Skender Imeri, Asllan Mustafa, Agim Hoxha, Naser Mehmeti, Qemajl Latifi, Iljaz Rashiti, Musa Nasufi dhe Asllan Asllani, kanë deklaruar se zgjedhin të mbrohen në heshtje.

Seanca e së martës po vazhdon me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit tjerë.Mirëpo, deklaratat e tyre nuk mund të publikohen deri në përfundimin e dhënies së mbrojtjes nga të gjithë të akuzuarit.

Kjo pasi gjykatësja Kuka-Mekaj, në seancën e 11 tetorit, ka marrë vendim me të cilin ka ndaluar publikimin e deklaratave të akuzuarve gjatë mbrojtjes së tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.Lidhur me këtë, dëmtim të buxhetit, përmes ekspertizës financiare, kanë konstatuar ekspertët e caktuar nga Gjykata e Themelore e Pejës, Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Gjithsej 18 tenderë janë përfshirë në ekspertizë financiare me urdhrin e gjykatës në fjalë, për të vlerësuar nëse dhënia e tyre ishte bërë në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës së Gjilanit.

Përkundër shumë kundërshtimeve nga prokurori special Agron Bajrami, që ekspertiza financiare të mos bëhet me arsyetimin se e njëjta nuk mund ta vlerësojë ligjshmërinë e aktivitetit të prokurimit në kurdisjen e tenderëve, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të pandehurit Mustafa, avokatit Ismet Shufta.

Kështu, gjykatësi Lokaj kishte vendosur që në këtë çështje penale të bëhet një ekspertizë financiare e dosjeve të tenderëve, për të vërtetuar nëse në aktivitetin e prokurimit ishin zbatuar dispozitat e Ligjit për Prokurimit Publik.Pas tre muajsh ekspertim, ekspertët financiar kanë konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në vetëm 3 prej 18 tenderëve, ku shuma e dëmit si pasojë e shkeljeve të ligjit sipas ekspertëve ishte 6,248.88 euro.

Kurse 15 tenderët tjerë, sipas ekspertëve, ishin bërë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.Mirëpo në 12 aktivitete të prokurimit, ekspertët kanë konstatuar rritje të çmimit të kontratës për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, në shumën prej 67,257.43 euro, e cila shumë u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i KomunësSipas ekspertizës financiare të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në tenderin me numër GI-651-09-146-521, Komisioni Vlerësues në përbërje prej Drita Bajrami, Agim Hoxha dhe Ramush Musliu, kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, duke mos përfillur çmimin më të lirë të ofruar dhe kishte rekomanduar të lidhet kontrata me operatorin ekonomik “Bejta Commerce”, edhe pse ky operator kishte ofruar 537.30 euro më shumë se operatorët tjerë.

Tenderi i dytë me numër GI-651-09-059-521 që ishte përfshirë në shkelje të Ligjit, ishte kur anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Ofertave me përbërje prej Qefsere Sadriu, Llaz Rashiti dhe Musa Nasufi.

e kishin zbatuar vendimin e ish-kryetarit Mustafa, i cili ka rekomanduar që kontrata t’i jepej operatorit ekonomik “Bass Com”, edhe pse kjo kompani sipas ekspertëve kishte ofruar çmimin më të lartë për 2,252.40 euro më shumë se operatorët tjerë ekonomik.

Sipas ekspertëve, ish-kryetari Qemajl Mustafa kishte bërë shkelje ligjore kur kishte nxjerrë vendimin që të mos përzgjidhet operatori ekonomik me çmim me të ulët.

Dhe tenderi i tretë, që sipas ekspertëve ishte dhënë në shkelje të Ligjit të Prokurimit ishte tenderi me numër GI-651-10-063-521 sipas të cilit, anëtarët e Komisionit Vlerësues, Drita Bajrami, Qefsere Sadriu dhe Vehbi Geci, nuk kishin aplikuar zbritjen e ofruar në ofertë të operatorit ekonomik prej 3,459,18 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në këtë shumë.

“Dëmi i shkaktuar i buxhetit Komunal në Gjilan, në këto tri raste kap shumën prej 6,248.88 euro”, thuhet në ekspertizën e bërë nga ekspertët Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Në këtë ekspertizë është konstatuar edhe një dëmtim i buxhetit të Komunës së Gjilanit në shumën prej 67,257.43 euro në 12 aktivitet të prokurimit, për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, e cila shumë sipas ekspertëve u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës.

Një mënyrë të tillë të pagesës së Komisionit përmes operatorëve ekonomik me buxhet të Komunës ekspertët financiar e kanë cilësuar kundërligjore, duke e bërë përgjegjës ish-kryetarin Mustafa dhe asamblistët të cilat kishin miratuar një vendim të tillë për bërjen e pagesave.

“Ne ekspertët mendojmë se me rritjen e shumës së Kontratës për pagesën e komisioneve me mjete të Buxhetit Komunal, Komuna ka pasur dëme në dy aspekte: për shumën e shtuar në kontratë, ku mjetet janë derdhë në llogari të operatorit ekonomik sipas kontratës dhe komisionet për mbikëqyrje të punëve dhe për pranim teknik me këtë metodologji ishin jo të pavarura por nën ndikim e Operatorëve Ekonomik të cilëve u ishin dhënë mjetet për pagesë të këtyre komisioneve dhe të njëjtit s’kishin pavarësi të plotë për një mbikëqyrje reale dhe pranim real të punëve të kryera nga Operatori Ekonomik”, thuhet në ekspertizën financiare.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që,kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.Në këtë rast, PSRK ngarkon të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë.

Andaj gjykata e shkalles së parë obligohet të vazhdoj më tutje më procedim penal, të administroj provat, e pastaj ta marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhej në njoftimin për media të Gjykatës së Apelit.