Fitorja e heshtur e AAK-së

E publikuar: 23/10/2017 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë forca kryesore nga zgjedhjet e djeshme, por Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shënuar ngritjen më të madhe në nivel vendi, që prej vitit 2009, kur Ramush Haradinaj ishte kthyer nga Tribunali i Hagës.

Krerët e AAK’së po shfaqen të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të djeshme. Ramush Haradinaj, mbrëmë, pas publikimit të rezultateve preliminare, ka dalë i kënaqur në konferencën për media. Ai ka kumtuar fitoren në Junik e Deçan, ndërkohë që ka përmendur edhe kryesimin e këtij subjekti në Obiliq, Suharekë e Gjakovë. Ndërkohë që në Istog, bastion i LDK’së, AAK ka korrur një rezultat të shumë të favorshëm. Kandidati i AAK’së Gani Dreshaj vetëm rreth 1 mijë vota është prapa Haki Rugovës së LDK’së.

Sipas bashkëpunëtorëve të kreut të AAK’së Ramush Haradinajt “AAK po rikthehet fuqishëm” duke mbledhur mbi 100 mijë vota në nivel vendi, me tendencë rritjeje.

Disponimin e AAK’së, për zgjedhjet e 22 tetorit, e ka artikuluar Halil Matoshi, këshilltar i Ramush Haradinajt.

“Rikthehet fuqishëm AAK-ja!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e kryeminsitrit Ramush Haradinaj ka fituar pa balotazh në Deçan e Junik, prinë bindshëm në balotazhin për Obiliqin, Suhareken, Gjakovën dhe Rahovecin, asht e dyta në balotazhin në Istog, Klinë e Pejë; Realisht AAK-ja me gjashtë-shtatë komuna të fitueme dhe me participim në pushtet edhe 3-4 tjera, asht renditë nder partitë kryesore të vendit, me votë popullore mbi 100 mijë dhe me tendencë rritjeje…

Urime fitorja Bashkim Ramosaj dhe Agron Kuçi!

Forca Xhafer Gashi, Ardian Gjini, Smajl Latifi, Bali Muharremi, Zenun Elezaj dhe Fatmir Gshi” ka shkruar Matoshi.