Escobar: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk ka alternativë tjetër

E publikuar: 30/08/2022 21:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Escobar

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se nuk ka alternativë për integrimin evropian dhe se ndihma e BE-së në atë proces është e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike.

Në panelin e Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, Escobar tha se BE duhet të bëjë shumë për të thjeshtuar procesin.

“Por shumë më tepër punë duhet bërë nga qeveritë e shteteve në anën e tyre për të bërë të mundur procesin e integrimit, ndërkohë që disa shtete dështojnë të përmbushin fare detyrimet e tyre”, tha ai.

Escobar thekoi më tej se e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji.

“Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit në panelin “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor: Kush është gati”.