Elbert Krasniqi: Propozimi i Abdixhikut për qeveri tranzicioni s’është në frymën multietnike, ai i fton vetëm partitë shqiptare

E publikuar: 07/05/2025 13:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë e komuniteteve joshumicë në Kosovë kritikuan propozimin e kryetari të LDK-së, Lumir Abdixhiku për qeveri të tranzicionit që e bëri një ditë më parë .

Deputeti Elbert Krasniqi tha se Abdixhiku i ka ftuar vetëm subjektet politike shqiptare, duke i përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë, duke cilësuar si qasje përjashtuese dhe jo në frymën multietnike të Kosovës.

“Ne përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë në Kosovë jemi si zakonisht për formimin e institucioneve sa më parë dhe sa më shpejt, në mënyrë që të ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri përfaqësimi edhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe në Qeverinë e Kosovës. Po i përcjellim me vëmendje krejt këto zhvillimet e fundit. Na duhet t’i themi dy gjëra: ne si parti politike të bashkuar në një grup politik kemi një vërejtje të madhe në deklaratën për media të zotëri Lumir Abdixhikut, i cili i bën thirrje vetëm subjekteve politike shqiptare dhe përjashton përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Jo nga fakti që po presim një ftesë për t’ ju përgjigjur, mirëpo kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, nuk është frymën multietnike të Kosovës dhe për këtë duhet të kemi një vërejtje të drejtpërdrejtë”, tha Krasniqi./EO