E pengoi Kurtin në fjalim, lirohet aktivistja e PSD-së

E publikuar: 17/11/2023 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktivistja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Donjeta Demolli, e cila është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës është liruar.

Ajo tentoi ta pengojë fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili po fliste në ceremoninë e hapjes së “Ulpiana Forum”.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar, anëtari i PSD-së, Bardh Ahmeti, i cili tha se pushteti i Kurtit e arrestoi aktivisten Demolli sepse sipas tij ‘nuk mund të durojnë kur t’i përplasen për fytyre dëmet që po ia bëjnë Kosovës’.

“Pushteti i Zajednicës e arrestoi aktivisten Donjeta Demolli sepse nuk mund të durojnë kur t’i përplasen për fytyre dëmet që ky pushtet po ia bëjnë Kosovës. Për herë të parë u materializua Asociacioni me statut. Sot, s’flasim veç për mashtrimin e gënjeshtrën në të cilën Kurti gjindet por dëmin që po e implementon. Asociacioni është autonomi, është pushtet i ri i tretë që e zhbënë konceptimin e shtetit të Kosovës“, tha Ahmeti.

Tutje, Ahmeti tha se pas arrestimit të Demollit është arrestuar edhe aktivisti Gëzon Kastrati, por, që është liruar më pas.

“Donjeta Demolli është e liruar nga arrestimi. Menjëherë pas lirimit të saj, në mënyrë të jashtëligjshme, pushteti arrestoi Gëzon Kastratin, dhe u detyruan ta lirojne. Por, pavarësisht veprimeve të pushtetit e të policisë, organizimi e rezistenca vetem po rritet sepse rreziku është i madh“, theksoi ai.

Ndryshe, aktivistja e PSD-së, Donjeta Demolli, është arrestuar mbrëmë, pasi e njëjta me disa aktivistë të tjerë ia ndalën fjalimin kryeministrit Kurti.

Ajo po mbante një parullë në dorë, ku shkruante “Pe do pushtetin, pe bën Zajednicën”.