Tahiri për anëtarësimin në KiE: Qeveria të tregohet e mençur – ne kemi pasur vendime të vështira por kemi vënë shtetin para pushtetit

E publikuar: 07/05/2024 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-Kryenegociatorja e Kosovës në procesin e dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se uron që Qeveria Kurti të tregohet “e mençur”, tash kur vendi është përballë vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që të mos e lërë vendin të izoluar nga Evropa.

Sipas Tahirit, me vendime të vështira janë përballur edhe qeveritë e kaluara, ku ka qenë pjesë edhe ajo, por se siç ka thënë kanë vënë para shtetin e jo pushtetin.

“Kosova përballë vendimit të Keshillit të Ministrave të BE-së për anëtarësim në Këshillin e Evropës- Uroj që Qeveria jonë të jetë e mencur dhe mos ta lërë Kosovën të izoluar nga Evropa…vendime të vështira kemi pasur edhe në qeveritë e kaluara por nuk e kemi lenë Kosovën të izoluar edhe pse kompromiset na kanë kushtuar me humbjen e pushtetit, por ne kemi vënë shtetin para dhe jo pushtetin…”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, sot në Strasburg pritet të takohen zëvendësministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit në faqen e Këshillit të Evropës, zëvendësministrat do ta përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj po ashtu në Strasbourg.

Për këtë takim, ka njoftuar edhe Kryeministri Albin Kurti në platformën “X”.

“Para takimit të nesërm në Këshill të Evropës rreth axhendës së Komitetit të Ministrave, u takova me ambasadorët Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe BE-së dhe rikujtova se Asambleja dhe Raportuesja Dora Bakoyannis kanë konkluduar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që Kosova të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, para se të mbahet votimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.