Dual arsimi dhe përgatitja për tregun e punës

E publikuar: 27/08/2021 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Emrush T.Shkodra

Bazuar në ligjin e Republikës së Kosovës, me 18 vjeç do llogaritësh i gatshëm për punë, dhe për rrjedhojë me këtë moshë ju jeni një aset që lirisht mund të bëhesh pjesë e tregut të punës.

Për tu gjendur i gatshëm në tregun e punës, do të duhej të ishe një kuadër i përgatitur i ardhur nga shkollat e mesme profesionale, ku për rrjedhojë mundësia e punësimit dhe e gjetjes së një pune të një profili të caktuar do të ishte më e madhe.

Mosha e theksuar prej 18 vjeçe do të llogaritej i gatshëm për punë, nëse ti ke përfunduar një sistem arsimor të quajtur dual arsimimi.
Kjo nënkupton praktikimin i sistemit Evropian të përgatitjes së të rinjve për tregun e punës, ku të rinjtë përgatiten duke u bazuar në arsimin paralel të fitimit të njohurive nga shkollat profesionale dhe aftësimit në një kompani.

Shkollë teori, kompani praktikë

Sot në shkollat profesionale në Kosovë ky trajtim ndaj të rinjve tashmë ekziston, por vetëm se shteti nuk ka arritur ta jetësojë dual-arsimin si pasojë e mos angazhimit të ekspertëve në këto fusha.

Përgatitja dhe shkollimi i të rinjve vazhdon një anshëm, të rinjtë vazhdojnë të marrin njohuri teorike nga shkollat profesionale, porse atë nuk mund ta zbatojnë në praktikë, në mungesë të marrëveshjeve me kompani të ndryshme qoftë ato publike apo private.

Sistemi dual do të shpinte të rinjtë drejt kryerjes se zanateve, që do të jetësonte ëndrrat e shumë personave për gjetjen e një vendi të punës, duke qenë i përgatitur si një profil i dal nga shkolla përmes teorisë në kombinim me praktikën e fituar nga kompanitë.

Sistemi dual do të kishte fokusin kryesor në orarin 3 ditor shkollë, dhe 2 ditor praktik. Kjo do të mund të funksiononte përmes bashkëpunimit të shkollave dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe sektorit privat.

Sot një i ri detyrimisht i duhet të vrapojë pas përfundimit të një bachelori, e në mungesë pastaj të gjetjes së një vendi të punës, atëherë ose do të vazhdoj shkollimin e mëtutjeshëm superior duke vazhduar në gradat master, ose do të ik nga vendi.

Ai plotësisht do të del i papërgatitur në tregun e punës edhe po që do të pajiset me diplomën master, sepse i mungon korniza bazë, pra i mungon përvoja dhe praktika.

Të kesh një profesion/zanat dhe të jesh i përgatitur për tregun e punës, këtë do të mund ta arrish me 18 vjeç, kurse po vazhdove për një profesion akademik të gradës së tretë do të duhen 23-25 vjet.

Dual arsimi dhe gjetja e një vendi të punës

Kjo formë e metodologjisë së dual-arsimit përgatit të rinjtë për tregun e punës. Qeveria e Kosovës do të duhet të investoj më shumë, e jo sikur ka ecur deri më tani duke proklamuar shkollat profesionale vetëm gjatë fushatave elektorale, dhe pastaj duke drejtuar kah këto shkolla një shtresë pothuajse më të ulëtën e nivelit të nxënësve të mirë.

Ajo duhet të investoj më shumë dhe shpejt, duke zgjeruar një bashkëpunim në mes arsimit të mesëm dhe sektorit privat.
Por, këtë kompetencë që do të zhvillonte në shkollat profesionale, MAShT dhe qeveria e Kosovës do të duhet të merr nga kompetencat e Drejtorive komunale dhe të jetësojë projektet afatgjate e vetme.
Sepse deri më tani është parë që DKA-të nuk e kanë zhvilluar dual-arsimin, dhe as nuk e kanë pasur në fokusin primar në plan programet e tyre, përveç zhurmave që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë përgjatë fushatave.

Orientimi profesional dhe profili i së ardhmes

Duhet shmangur dëshirës së prindit që fëmija të orienton jetën e tij profesionale kundrejt apetiteve të prindit, aty ku ai ka afinitete të shprehura gjatë adoleshencës së tij.
Aty ku prindi synon dhe shpreh ambiciet krejtësisht kundër vullnetit të fëmijës, për faktin se fëmija ëndërron krejt diçka tjetër kurse i imponohet krejt diçka tjetër, në të shumtën e rasteve të vërtetuara shkencërisht kanë rezultuar të dështuara.

Në botën reale sot kemi shembuj që kundërshtojnë teorinë që vetëm me bachelor, master do të behësh i pasur dhe i suksesshëm.

Praktika ka treguar që pikërisht sukseset më të mëdha vijnë nga zanatgjinjët, dhe për rrjedhojë sot nëpër botë në përgjithësi sektori privat dhe suksesi i tyre vjen si pasojë e këmbënguljes duke u bazuar në forcat e tija, e jo në dokumente dhe letra të përfituara si rrjedhojë e shkollimit.

Bill Gates (Microsoft, Xbox, Office), Steve Job (Apple, iPhone, iPad), Mark Zuckerberg (Facebook, Instagram, msn), Ralph Lauren (Disajnator i Modës), James Cameron (Producent, Artist), John D, Rockfeller, Henry Ford, Roman Abramovich etj. Janë disa nga emrat që kanë bërë namin në botën e suksesit, e që rrjedhimisht nuk kishin degree (fakultet).

Qeveria përkatësisht MASHT-i duhet të bëhen atraktive në tërheqjen e rinjve në shkollimin e njohur në Evropë si dual-arsimi për faktin se këta të rinjë do të mund të shfaqnin njohuritë e tyre këtu në Kosovë të fituara nga shkollat profesionale, e jo të shohin si opsion ikjen nga vendi.

Memorandumet në mes MAShT, shkollave të mesme dhe sektorit privat do të ishte një fuqi e përgatitjes për punë, dhe tregu ynë i punësimit do të ishte më konkurruesi në rajon për shkakun që Republika jonë posedon një rini ndër më të theksuarat në Evropë.

Kjo mënyrë e shkollimit do të kishte dual efekt po ashtu, sepse njërën anë do të përgatiste një fuqi punëtore qysh në moshë të re të dalë përmes shkollave profesionale, dhe në anën tjetër do të filtronte dhe inspironte një shtresë tjetër për të vazhduar studimet akademike.

[ Scriptum: Çfarë është arsimi dual dhe cila është rëndësia e tij?
Me fjalë të thjeshta, arsimi dual është një sistem në të cilin aftësimi në një kompani kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale. Është e një rëndësie të madhe pasi kontribuon në zhvillimin e aftësive cilësore praktike që kërkohen nga punëdhënësit.

Prandaj ka një ndikim të rëndësishëm në rritjen e punësueshmërisë së nxënësve dhe së fundmi në lehtësimin e rrugës së tyre drejt një punësimi të denjë dhe të menjëhershëm. Një gjë është e qartë – kur bëhet fjalë për arsimin dual, të gjithë sytë drejtohen drejt Zvicrës ose Gjermanisë për këtë çështje, e cila zbaton me sukses këtë model arsimor, e cila ka treguar në praktikën e gjatë një sukses të theksuar. Ka edhe një emision në lidhjen me këtë temë te emisioni “7 Dite me Panxhen”. ]

Për infosot.com