Deputetja shqiptare në Kroaci: Kthimi i të mbijetuarve nga aksidenti do të bëhet nga aeroporti i Osjekut

E publikuar: 26/07/2021 23:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë Ermina Lekaj-Përlaskaj ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë liruar 27 pacientë nga spitali i Slavonski Brodit në Kroaci, ndërsa kthimi i të mbijetuarve do të bëhet nesër nga aeroporti i Osjekut.

Ajo ka thënë për edicionin e lajmeve të RTK-së se Qeveria kroate ka dhënë pëlqimin për kthimin e të mbijetuarve nga aksidenti përmes aeroportit të Osjekut drejt Prishtinës.

Lekaj-Përlaskaj ka bërë të ditur se edhe tre persona të vdekur në aksidentin tragjik të së dielës nuk janë identifikuar ende dhe se kthimi i kufomave pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme.

Ndryshe, dhjetë persona humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë u lënduan në aksidentin e mëngjesit së dielës në Slavonski Brod, kur një autobus me 69 udhëtarë që po kthehej nga Gjermania për në Kosovë, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.