
Vlora Çitaku. Foto: Faqja zyrtare
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit konfirmon qëndrimin e vazhdueshëm të PDK-së, duke theksuar se partia e saj ka qenë gjithmonë konsistente dhe e gatshme për bashkëpunim politik.
“PDK vazhdimisht ka qenë konsistente dhe, siç u pa edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne kemi pasur të drejtë,” tha Çitaku për media.
Ajo theksoi se situata si kjo në të cilën ndodhet vendi kërkojnë kompromis dhe bashkëpunim, ndërsa PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve apo përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Situata si këto kërkojnë kompromis, kërkojnë bashkëpunim, dhe PDK asnjëherë nuk iu ka ikur takimeve. Në takim do të themi po të njëjtat gjëra që i kemi thënë vazhdimisht. Tash e disa muaj, ne besojmë se në politikë dhe në demokraci nuk ka vend për kryeneçësi, duhet të ketë hapësirë për kompromis dhe për bashkëpunim,” u shpreh ajo.