BQK shpjegon në hollësi për shuarjen e “Komercijalna Banka” e cila ka operuar me tetë degë në Kosovë

E publikuar: 31/01/2024 19:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se ka përfunduar vullnetarisht veprimtaria bankare e shërbimit me klientë e “Komercijalna Banka AD Beograd” – Dega në Mitrovicë.

Përmes një njoftimi të BQK-së, thuhet se “ky veprim rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar”.

Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së me datën 6 tetor 2023, për t’u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të gjitha nën-degëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024, ka njoftuar BQK.

Komercijalna Banka AD Beograd Dega në Mitrovicë ishte licencuar nga BQK për operim në vitin 2007 dhe ka operuar me Degën në Mitrovicë dhe tetë nën-degë në territorin e Kosovës.

“Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare më qytetarë, me fundin e ditës së datës 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja konstaton pushimin e aktivitetit të kësaj degë bankare në Kosovë. Procedurat tjera të arkivimit të dokumentacionit dhe aspekteve të ndërlidhura, realizohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

“BQK-ja falënderon Grupin bankar NLB për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në lehtësimin e procedurave për këtë përmbyllje të dakorduar dhe vullnetare të aktivitetit bankar me klientë, në respekt të ligjeve të vendit dhe praktikave më të mira, dhe brenda afateve të pajtuara.Sipas vlerësimeve të BQK-së, aktualisht operojnë numër i mjaftueshëm i zyrave bankare, institucioneve financiare dhe jo-bankare që mbulojnë arsyeshëm nevojat e komunitetit në të gjitha qytetet e vendit. Përveç zyrave bankare dhe jo-bankare me prezencë fizike, edhe kanalet elektronike/digjitale të shërbimit janë të qasshme dhe ofrojnë produkte konkurruese”.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës angazhohet për rritjen e qasjes në financa për të gjitha kategoritë shoqërore dhe në të gjithë territorin e shtetit, prandaj edhe inkurajon te gjitha institucionet financiare te licencuara që të rrisin prezencën e tyre me degë fizike dhe pajisje elektronike ne mënyrë që t’u ofrohet qasje sa më e plotë dhe konkurruese të gjithë qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e BQK-së. /Gazeta Express