Bashota: Futem në garë fuqishëm për t’i fituar zgjedhjet

E publikuar: 31/10/2017 23:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka thënë se për të është e rëndësishme pas zgjedhjeve të 22 tetorit që PDK është rritur në këtë komunë.

Bashota që ka shkuar si i pari në balotazh me mbi 37 për qind të votave ka thënë se tash ata kanë më shumë asambleistë se në mandatin paraprak.

Ai ka thënë se pret fitore më 19 nëntor.

“Kam përvojë të mirë me balotazhet dhe qytetari i komunës së Klinës është i vetëdijshëm për rolin që ka. Tash ka dy alternativa dhe ai do ta zgjedhë alternativën më të mirë”.

“Unë futem në garë fuqishëm për të fituar zgjedhjet”, ka pohuar ai, njofton Klan Kosova.

Më tej Bashota ka përjashtuar mundësinë e ndonjë bashkëpunimi me partitë në Klinë.

“Koalicionet nuk kanë treguar rezultat”.

“Unë kam bërë kontratë me qytetarin dhe do të më mbështesë edhe në këto zgjedhje”, ka shtuar ai.

Uji dhe kanalizimi:

Bashota ka thënë se kur ka marrë për herë të parë drejtimin e Klinës gjendja e gypave të ujit të pijshëm dhe kanalizimit ka qenë e rëndë.

“Buxheti ka qenë i vogël prej 650 mijë euro dhe tek këtë vit kemi arritur mbi 2 milionë euro. Për dhjetë vjet kemi shpenzuar rreth 12 milionë euro me të hyra vetanake dhe grante”.

“Në asnjë fshat gati gati nuk ka pasur kanalizim dhe ujësjellës”.

“Kemi ndërtuar edhe një fabrikë të ujit të pijshëm që është ndër më cilësoret që ka rajoni e cila përmbush nevojat si për nga sasia edhe nga cilësia”.

Bashota ka thënë se kundërshtarët politikë kanë çorientuar qytetarët atje duke iu bërë thirrje të mos e pinë ujin.

“Por ai ujë është i pijshëm. Rrjeti i vjetër i ujësjellësit lë për të dëshiruar. Kyçjet ilegale lënë për të dëshiruar. Por me rregullimin e sheshit po heqim gypin kryesor që është prej azbesti dhe gjithçka po rregullohet”.

“Kanalizimet janë mbi 34 fshatra dhe po punojmë që të përmbyllet ky kapitull”, ka thënë ai.

Taksat dhe tenderët:

Bashota ka thënë se me orientimin programor të PDK-së, të gjitha taksat komunale do të hiqen në komunat ku udhëhiqen nga kjo parti, jo vetëm në Klinë.

“Këtë veprim do ta bëjë menjëherë nga janari. Bizneset do të kenë taksa zero dhe kjo është në harmoni me subjektin politik ku jam anëtar i kryesisë qendrore”.

“Për tenderët asnjëherë problem nuk kemi pas. Nuk do të thotë se nuk ka pasur vërejtje, por gjithçka është në vendin e vet”.

Ai ka thënë se nuk kanë probleme në komunë s ai përket tenderëve.

“Nuk kemi ndonjë zyrtarë që akuzohet për ndonjë shkelje në këtë aspekt”.

“Si kryetar asnjëherë nuk kam ndërhyrë në punën e tenderëve. Ligji për rregullimin e kësaj çështjeje lë shumë për të dëshiruar por sa është në fuqi duhet ta respektojmë këtë”, ka thënë ai ndër të tjera.