Bahtiri del me akuza të forta për Lushtakun e Veselin për zgjedhjet në Mitrovicë

E publikuar: 23/10/2017 21:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat në Mitrovicë, Agim Bahtiri, e ka akuzuar rëndë Sami Lushtakun e Kadri Veselin për përfshirje të pandershme në fushatën për kryetar të Komunës.

Ka thënë se kanë shpërndarë drunj e të mira të tjera materiale në këmbim të votave. Ia ka atribuuar kësaj partie edhe humbjen e disa fletëvotimeve në qendra votimi, si dyshim se ka mundur të kryhet i ashtuquajturi “treni bullgar”.

Në një intervistë për KTV-në, Bahtiri ka thënë se deri të enjten pasdite ishte përpara Valdete Bajramit, kandidates së PDK-së për kryetare të Komunës me së paku 12 për qind.

“Këtë jo vetëm që e thoshin sondazhet, por e ka pranuar edhe vetë PDK-ja”, ka thënë Bahtiri, përcjell Koha.net. “Por pastaj erdhi PDK-ja, me mënyrat që di të bëjë më së miri dhe e përmbysi rezultatin. Filloi një ndryshim radikal, duke e bërë atë që e ka bërë edhe më parë. Ishte ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, që vinte çdo ditë. Ishte një bashkëngjitje e fuqishme, ndanin edhe mjete, ndanin edhe drunj me të cilat prekej çdo familje. Unë nuk doja me besu, por ajo ishte ashtu”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri ka thënë se njerëz të PDK-së kanë bërë presion edhe nëpër oborret e Qendrave të Votimit.

“Sigurisht se kur qytetari i sheh që janë mbledhur 50-60 qytetarë në Qendra të Votimit është njëfarë presioni”, ka thënë Bahtiri në KTV, derisa ka shtuar se për këtë ka fakte.

“Kemi fotografi, janë njerëz të Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut ata që janë ulur apo kanë qëndruar në këmbë në oborre të Qendrave të Votimit. I njeh krejt Mitrovica, i njeh edhe Policia e Kosovës. A nuk është ky presion?”,ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se pa përfshirjen e krerëve të PDK-së ajo nuk do të mund të fitonte.

“Të jeni të bindur se ajo ishte 13 për qind jo më shumë në të gjitha sondazhet. Gjitha matjet e kanë vendosur në 13 për qind. Me fuqizimin nga Sami Lushtakut dhe Kadri Veselit ndodhi kjo”, ka thënë Bahtiri, përcjell Koha.net. “Dje ishin edhe 8 fletëvotime që u zhdukën dhe nuk e dimë se si ka shkuar puna me to. E pamë që eskaloi situata dhe më pas reaguam”, ka thënë tutje ai.

Ai ka thënë se në balotazh nuk do të lejojë që të përsëritet kjo gjë.

“Nuk do të lejojë as Lushtakun e askënd që të bëjë presion mbi qytetarët e mi. Ata duhet të jenë të qetë dhe të lirë të votojnë për kë ata duan, dhe do ta shihni. Këtë duhet ta marrë përsipër Policia e Kosovës e cila e ka obligim që të garantojë sigurinë”, ka thënë Bahtiri.

Bahtri është shprehur jashtëzakonisht i bindur se do të fitojë në balotazh.

“Balotazhi është formal, në Mitrovicë nuk flitet për asnjë fitues tjetër pos Agim Bahtirit. 1 milion për qind kryetar i Mitrovicës do të jetë Agim Bahtiri dhe askush tjetër”, ka thënë Bahtiri.

Së paku 5 mijë vota ka thënë se do të ketë më shumë se Idrizi pas balotazhit, por ka thënë se edhe sikur të zgjidhej kryetare Valdete Idrizi ajo nuk do të ishte kryetarja e vërtetë.

“Edhe sikur zgjidhet kryetare Valedete idrizi nuk do të jetë kryetare e Mitrovicës. Mitrovicën do ta udhëhiqnin të tjerët. Agim Bahtiri do të jetë zot shtëpie i Mitrovicës, sepse Mitrovicës i duhet një zot shtëpie”, ka thënë ai.

Në mandatin e kaluar Bahtiri ka udhëhequr një kohë në bashkëpunim me LDK-në e më pas me Vetëvendosjen. Ka lënë të kuptohet se do të kërkojë përkrahjen e Vetëvendosjes, por nuk e ka thënë qartë këtë. Ka thënë gjithashtu se ka pasur problem në kohën e bashkëpunimit me LDK-në, sepse kishte marrë dy propozime për nënkryetar një nga Sadri Ferati që ishte Safet Kamberi dhe një nga Isa Mustafa që ishte Faton Peci.

“Nuk e dëgjova Mustafën dhe nuk e bëra mirë”, ka thënë ai. “Tash për tash nuk jam i interesuar për balotazh me askënd”, ka thënë më tej ai.

Isa Mustafën e ka akuzuar edhe se nuk po lëvizte në krijimin e një qeverie të përbashkët mes LAA-së dhe Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Ne i kishim 61 deputetë, plus tre deputetë të Nismës për Kosovën. Po Isa Mustafa nuk po lëvizte. E kam lutur, i kam thënë se nuk po duam asnjë ministri, vetëm të bëhet Qeveria. Nuk ka dashur”, ka thënë Bahtiri, për të arsyetuar më pas vendimin që AKR-ja të ndahet nga LDK e Alternativa dhe të zhbllokojë procesin e formimit të Qeverisë Haradinaj. Bahtiri kishte thënë po në KTV se “më parë do të shkonte në tabut se sa në koalicion me PDK-në”.

“Unë kam hyrë sepse ka qenë Ramush Haradinaj aty. Për asgjë tjetër nuk kam hyrë”, ka thënë Bahtiri.