Apeli vërteton dënimin ndaj dy të akuzuarve për krime të luftës

E publikuar: 02/12/2021 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ku të akuzuarin për krime të luftës kundër popullatës civile Z.K, i është shqiptuar dënimi prej 14 vjet e gjashtë muajsh burgim.

Ndërkaq ndaj të akuzuarit tjetër D.SH, është shqiptuar dënimi me burgim prej shtatë vjetësh.

Kështu Apeli i ka konsideruar të pabaza ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të palës mbrojtëse të të akuzuarve.

Njoftimi i plotë:

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, kurse të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.76/19, datë 23.03.2021, ndërsa është hudhur poshtë ankesa e përfaqësuesit palës së dëmtuar.

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Zoran Krstic është shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokolit të dytë të saj dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj.

Ndërsa, i akuzuari Destan Shabanaj është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjet.