AKB: Kriza politike në kulm, koha për një Qeveri teknike pa parti

E publikuar: 07/05/2025 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Agim Shahini

Agim Shahini

Aleanca Kosovare e Bizneseve  vlerësoi se Kosova është futur në një krizë të thellë institucionale dhe politike, të cilën partitë politike po e keqmenaxhojnë për interesa të ngushta e jo për të mirën e vendit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se dështimi për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve, mosarritja e një marrëveshjeje për qeverisje dhe mungesa e përgjegjësisë politike, e kanë katandisur shtetin në një gjendje alarmi.

“Në këtë situatë të rëndë, Aleanca Kosovare të Bizneseve (AKB), në emër të sektorit privat dhe të interesit publik, kërkoj me urgjencë krijimin e kuvendit te Kosovë dhe një Qeverie Teknike, jopartiake dhe profesionale, për të:

1. Rikthyer funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe të Kuvendit;

2. Qeverisur në mënyrë neutrale dhe të përgjegjshme në një periudhë të përkohshme;

3. Trajtuar me prioritet krizën ekonomike, buxhetin publik dhe çështjet sociale;

4. Përgatitur vendin për një proces të ri zgjedhor ose një zgjidhje të qëndrueshme politike.

Qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe luftërat e brendshme politike që e kanë kapur shtetin. Kjo është një gjendje e papranueshme dhe e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Mjaft më me bllokime, inate dhe kalkulime personale.

Qeveria Teknike nuk është luks, por domosdoshmëri. Është momenti që të gjithë ata që vërtet e duan Kosovën ta tregojnë me vepra, jo me fjalë.

Aleanca Kosovare e Bizneseve është e gatshme të angazhohet aktivisht në këtë proces duke ofruar ekspertizë dhe lehtësim të dialogut politik e shoqëror, në funksion të interesit kombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm”,  tha kryetari i AKB-së, Agim Shahini.