Ahmeti prezanton reformat për transportin publik

E publikuar: 15/11/2017 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, njëherësh kryetar i saj, Shpend Ahmeti prezantoi sot reformën në transportin publik, që përveç tjerash përfshinë shtimin e linjave të autobusëve nëpër lagje dhe fshatra.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “do të bëhet integrimi i operatorëve privat me kontrata 5 vjeçare dhe 10 vjeçare, që do të kenë autobusë të standardeve më të larta, ashtu që të ndikojmë në uljen e ndotjes në Prishtinë. Intervenimet infrastrukturore që do të bëhen gjatë mandatit të ardhshëm dhe caktimi i rrugëve njëkahëshe do të mundësojë që shumë më shpejtë të arrihet nga një pikë në pikën tjetër brenda qytetit”.

Më tutje thuhet se do të jenë gjithsej 20 linja, 7 nga të cilat qendrore dhe 13 periferike, transmeton Koha.net.

“Me këtë model, jemi siguruar që transporti publik t’iu shërbejë qytetarëve të secilës lagje dhe të secilit fshat. Bileta do të jetë e integruara, ashtu që me një pagesë të mund të ndërrohen disa autobusë brenda dy ore, derisa qytetari të arrijë në vendin e duhur”, thuhet në komunikatë.

Do të shtohen pritoret e autobusëve nëpër qytet, dhe brenda secilës do të jetë informatori dixhital. Përmes aplikacioneve që tashmë i kemi të gatshme, qytetarët do ta dinë sakt se sa larg është autobusi dhe për sa minuta do të arrijë në vendin e duhur.

Stacioni Qendror është një nga investimet e mëdha kapitale të mandatit të ardhshëm, dhe do të shndërrohet në qendër të lidhjes së transportit urban me atë ndër-urban.

Në 5 hyrjet kryesore të Prishtinës, do të ndërtohen hapësirat për konceptin “Park & Ride”. Aty do të ketë hapësirë të mjaftueshme për parkim, dhe do të caktohen vendet nga ku nisen autobusët. Kjo ndikon në efikasitetin e lëvizjes brenda Prishtinës, me ç’rast qytetarët do t’i parkojnë veturat e tyre, dhe do të shfrytëzojnë autobusët me të njëjtën pagesë për dy orët e ardhshme.