Agjencia Kosovare e Privatizimit shpenzoi mbi 140 mijë euro veç për pagat e Bordit për 9 muaj

E publikuar: 12/11/2023 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP) përbëhet nga 8 anëtarë. Prej tyre 3 femra dhe 5 meshkuj. E që të gjithë këta së bashku për periudhën janar-shtator i kanë kushtuar buxhetit të shtetit hiç më pak se mbi 140 mijë euro.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për Front Online.

“Bordi aktual i AKP-së në fillim të mandatit të tij ka ulur pagat e tyre në vlerë prej 30% dhe si rrjedhojë tani bordi për këta 9 muaj ka shpenzuar mjete në vlerë prej 114,548,75 euro neto apo në bruto 141,355.66 në krahasim me bordin paraprak i cili për vitin 2019 ka shpenzuar 340,431,00 euro dhe për vitin 2020 -328,724,00 në total për dy vite në vlerën prej 669,155,00 euro”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Në këtë vlerë të shpenzimeve hyn edhe ish-kryetari i Bordit, Nazmi Mikullovci, shpenzimet e të cilit janë dhënë vetëm për dy muaj, pasi që i njëjti në muajin mars ka vdekur.

Kush prej anëtarëve të Bordit shpenzoi më shumë e kush më pak?

Mbi 17 mijë euro ka shpenzuar anëtarja e bordit, Syzana Dautaj-Surdulli.

Pas saj vjen Mentor Hyseni me 15,701.31 euro.

Një shifër pothuajse të njëjtë prej 15,595.20 e ka shpenzuar edhe Avni Ajdini.

E katërta për ka shpenzimet renditet Violeta Arifi-Krasniqi më 15,157.44 euro.

Nga 14,815.44 euro kanë shpenzuar dy anëtarët tjerë të bordit. Bëhet fjalë për Halim Muçollin dhe Vjollca Jasharin.

Vetëm një euro më pak se këta dy të fundit 14,814.44 euro ka shpenzuar anëtari i bordit Xhevdet Neziraj.

Një shifër shumë të vogël në krahasim me anëtarët tjerë të bordit e ka shpenzuar, Gent Nushi. Ai ka marrë vetëm 1,928.19 euro.

Ndërsa, anëtari që tashmë ka vdekur për dy muaj sa ka qëndruar në AKP ka shpenzuar 4,717.44 euro.

Më tutje në përgjigje thuhet se bordi merr kompensim fiks mujor, pa marr parasysh sa mbledhje të rregullta apo të jashtëzakonshme mbahen brenda një muaji, kompensimi është fiks.

Por, me ligj është e përcaktuar të mbahet minimum një mbledhje në muaj.

Derisa, sipas praktikës aktuale bordi mban dy të tilla.

Nga AKP-ja kanë bërë të ditur se bordi ka të themeluara edhe dy komitete/komisione.

Atë të Auditimit që përbëhet nga 3 anëtar të bordit, por se nga 1 tetori i këtij viti ky komitet përbëhet nga 1 anëtar i bordit dhe dy të tjerë jashtë AKP-së, si dhe Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Menaxhmentit që përbëhet nga 3 anëtar bordi.

“Gjithsej shpenzimet për kompensim sipas asaj që u deklarua më lartë, duke përfshirë edhe Komitetin e Auditimit dhe Komisionit për Vlerësim të Performancës për vitin janar-shtator janë 114,548.75 €”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Shpenzimet për derivate, mëditje dhe udhëtime jashtë vendit

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë thënë se shpenzimet për derivate për muajin gusht-shtator kapin vlerën prej 315.06 euro.

Kjo, për shkak që nga bordi, respektivisht nga kryesuesi i Bordit që nga data 1 gusht i këtij viti shfrytëzohet vetëm një veturë.

“Vetëm një veturë shfrytëzohet nga Bordi, respektivisht nga Kryesuesi i Bordit që nga data 01 gusht 2023, de jo më herët, shpenzimet për muajt gusht-shtator për atë veturë janë 315.06 euro”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ndërsa shpenzimet për derivate të krejt AKP-së, janë gjithsej 12,799,34€.

Kurse, shpenzimet e mëditjeve e po ashtu edhe për udhëtime zyrtare nga AKP-ja kanë thënë se janë zero.

“Shpenzimet e derivative si të tilla nuk mund t’i ndajmë por si shpenzime të përgjithshme për gjithë AKP-në janë në vlerë prej 12,799.34€. Shpenzimet e mëditjeve janë zero dhe shpenzimet në udhëtime jashtë vendit janë gjithashtu zero”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Shpenzimet e tjera të Bordit të AKP-së për nëntë muaj

Në AKP kanë treguar edhe sa kanë shpenzuar anëtarët e bordit gjatë mbledhjeve që kanë mbajtur për nëntë muaj.

“Gjatë vitit 2023 deri tani janë mbajtur gjithsejtë 14 mbledhje formale, të cilat zgjasin nga ora 09:00 deri në 17:00 apo 18:00 pasdite dhe duke qëndruar gjatë tërë ditës ka shpenzime si: shpenzime të imëta (kafe, ujë lëngje, pemë) dhe dreka për atë ditë. Vlen të ceket se në mbledhje të Bordit përveç 8 anëtarëve të Bordit marrin pjesë edhe 8 persona të tjerë: 3 nga menaxhmenti, 3 nga sekretaria e Bordit, 1 nga Departamenti Ligjor dhe 1 nga Njësia e Mediave, andaj të njëjtit përfshihen në këtë shpenzim. Për më tepër përveç takimeve të bordit në shpenzimet e tilla marrin pjesë edhe 10 drejtorë të departamenteve dhe 3 drejtor të lartë(drejtori menaxhues me dy zëvendësdrejtorët) ku gjithsej janë 21 zyrtar. Nëse këto shpenzime përpjestohen me numrin e zyrtarëve rezulton në një shpenzim prej 212.85 euro në muaj apo 23.65 euro për person në muaj”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Në përbërjen e Bordit të AKP-së janë 5 burra dhe 3 gra. Kurse sa i përket menaxhmentit nga gjithsejtë 36 departamente në krye të tyre janë 7 gra dhe 29 burra./Front Online