Abrashi në Taslixhe e Kodër të Trimave: Më 22 tetor do ta dërgojmë në shtëpi Ahmetin

E publikuar: 30/09/2017 20:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë vizitave në lagjet “Taslixhe” dhe “Kodra e Trimave”, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë nëpërmes votës së lirë, më 22 tetor do ta dërgojmë në shtëpi atë që nuk bëri asgjë për Prishtinën në katër vitet e shkuara.

“Nuk është punuar në Prishtinë në katër vitet e shkuara. Asnjë shkollë nuk është ndërtuar, asnjë qendër e mjekësisë familjare, kanë rënë subvencionet në bujqësi, ndërsa për keqardhje në mungesë të hapësirave, sportistët e Prishtinës i kryejnë stërvitjet në Obiliq. Kjo është e papranueshme dhe do të marrë fund ditën e zgjedhjeve, me fitoren tonë”, ka thënë Abrashi.

Në lagjen “Taslixhe”, Abrashi është pritur nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, me të cilin ka biseduar për nevojat e kësaj lagjeje dhe kryeqytetit.

Në lagjen “Kodra e Trimave”, u prit nga qindra banorë, të cilët janë ankuar se qeverisja në largim e ka lënë anash këtë lagje.

”Projekti ynë është projekt i përbashkët, për të kthyer investimet në ‘Kodrën e Trimave’ dhe në gjithë Prishtinën. Është e padrejtë që disa lagjeve të ‘Kodrës së Trimave’ ju ka rritur tatimi në pronë, ndërsa nuk kanë pas kthim të investimeve. Kjo do të ndryshojë menjëherë me ardhjen tonë në krye të komunës dhe asamblesë komunale”, tha Abrashi.

Sipas tij, kjo lagje ka nevojë për çerdhe, për hapësira gjelbëruese, ka nevojë për më shumë ndriçim dhe mirëmbajtje të hapësirave publike.

“Prapa tjegullores po planifikojmë ndërtimin e një parku dhe qendre rekreative, ndërsa një shkollë e mesme duhet gjithsesi të vendoset në këtë lagje”, pohoi kandidati i LDK-së për Prishtinën.

Ismet Beqiri, Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, ka thënë se “Kodra e Trimave” nuk e ka pasur kujdesin e merituar gjatë qeverisjes së kaluar, por me fitoren e Abrashit dhe kandidatëve të LDK-së për Asamble Komunale, do t’i kthehet dinjiteti kësaj lagje dhe gjithë Prishtinës.