Abdixhiku prezanton 15 nënshkrimet e deputetëve për kandidatin për president

E publikuar: 27/04/2026 23:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka prezantuar para gazetarëve 15 nënshkrimet e deputetëve për zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se këto nënshkrime kanë mundur të jenë edhe për Vjosa Osmanin për presidente.

“Ja ku janë 15 nënshkrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe besoj që kjo është dashur ta përmbyllë të gjithë debatin politik në Kosovë. 15 nënshkrime të LDK-së për kandidatin e propozuar të LDK-së. Unë këto nënshkrime nuk kam dashur t’i bëjë pjesë të lojërave politike sepse janë serioze. LDK megjithatë vepron në mënyrë shumë institucionale dhe është serioze në qëndrimet e veta politike, nuk propozon diçka LDK cfarë nuk mund t’i qëndrojë prapa politikisht… për kandidatin e propozuar nga LDK, sic kam thënë edhe herën kaluar mund të jetë edhe Vjosa Osmani”, deklaroi ai.

Në takimet me kryeministrin Albin Kurti, ai shtoi se nuk janë përmendur asnjëherë kandidatet e propozuara sonte nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Për besë jo asnjëherë, asnjë moment e kandidaten e dytë as nuk e njohëm. Provuam ta kërkojmë për ta kuptuar se kush është”, shtoi ai.

Tutje, në konferencë për media, kreu i LDK-së tha se sonte “LVV inicoi përmbysjen e rendit kushtetues”.

“Sonte është një natë bukur e rëndë për Republikën e Kosovës, meqë LVV inicio përmbysjen e rendit kushtetues dhe rendit demokratike të Republikës së Kosovës. Një rast i pa precedentë, jo demokratik, antikushtetues për shtetin tonë të ri. Ky sabotim i Kushtetutës i institucioneve të Republikës ka përgjegjësi të lartë dhe këtë përgjegjësi të lartë do ta mbajnë ata që tentuan dhe iniciuan përmbysjen e këtij rendi kushtetues”, deklaroi ai.

Ai tha se nisja e seancës pa respektim të kuorumit është rast i paprecedent. Abdixhiku tregoi nëse do të marrin pjesë në seancën e thirrur nesër nga ora 10:00.

“Ju e dini qëndrimin e LDK-së, është i pandryshueshëm, është konsistent që nga dita e parë deri më tani. Madje, LVV është zotuar që nga takimi i parë që nuk do të ketë kandidatura të imponuara siç i kemi pasur katër kandidatura deri më tani. LDK ka bërë thirrje, bën thirrje vazhdimisht që e vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është nëpërmjet një marrëveshje politike dhe për këtë marrëveshje politike kemi pasur një propozim, kemi pasur një zotim, kemi pasur një qëndrim të cilin LVV nuk e ka konsideruar të denjë ta respektojë. Këto janë shfaqje monopartiake që nuk i shërbejnë demokracisë, nuk janë të denja për Republikën e Kosovës dhe po na dërgojnë drejt zgjedhjeve të reja të radhës për shkak se një parti politike nuk e kupton kompromisin”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi edhe mbledhjen e organeve të partisë për të ndërmarrë hapa nëse është konsumuar rundi i parë i votimit për president.

“Dua të shpresojë që rundi i parë nuk është konsumuar, përndryshe LDK do të mbledh të gjitha organet e veta partiake për të konsideruar hapa të mëtutjeshëm, sepse përtej Republikës dhe Kushtetutës nuk kemi ku të shkojmë. Natyrisht që ne nuk marrim dhe s’mund të marrim pjesë në skenarë të palaçove politike, siç pamë deri më tani, por duam marrëveshje serioze institucionale për zgjedhje të presidentit”, përfundoi ai.