Agjencia e Ushqimit ka kapur qumështoren “Rugove” me mbi 1500 kilogramë djathë të kontaminuar me Aflatoxin M1, e cila është një toksinë me potencial kancerogjen. Analizat janë bërë te kompania “Rugove Sh.P.K.” më 27 shkurt 2026, dhe shteti ia ka ndaluar kësaj kompanie hedhjen në treg të këtij kontigjenti djathi të bardhë.
Pas zbulimit të djathit me toksinë, qumështorja Rugove ka bërë kërkesë në AUV për asgjësimin e djathit në sasi prej 1554 kg, proces i cili është kryer nën mbikëqyrjen e inspektorëve më 13 mars 2026.
Veriu.info ka marrë edhe qëndrimin e kompanisë, ku menaxherja e cilësisë dhe kualitetit, Melisa Bruqi, ka deklaruar se nuk ndiejnë përgjegjësi për pasojat eventuale që mund t’u jenë shkaktuar konsumatorëve nga produktet e tyre.
“Nuk kemi arsye të ndiejmë përgjegjësi në këtë rast, pasi produkti është asgjësuar ende pa dalë në treg për konsum”, ka thënë ajo.
Më shqetësues është fakti që kompania nuk ka arritur të gjejë burimin e kontaminimit të produktit me Aflatoxin M1.
“Ne kemi verifikuar procedurat e vetëkontrollit dhe jemi rikthyer te HACCP plani i qumështores, duke analizuar secilin fermer/pikë grumbulluese me të cilët kemi marrëveshje bashkëpunimi dhe që kanë marrë pjesë në lotin në fjalë, për verifikim dhe kontroll të nivelit të Aflatoxinës M1 në mostrat e qumështit të marra prej tyre. Asnjë rezultat pozitiv nuk kemi arritur të gjejmë. Sipas ekipit tonë profesional, kontaminimi në fjalë ka mundur të vijë nga një ushqim i kontaminuar i kafshës në një datë të caktuar”, thuhet në përgjigjen e menaxheres Bruqi, raporton Veriu.info.
Qumështorja Rugove dhe RUGOVE Sh.P.K.
Në uebfaqen e kompanisë “RUGOVE” shkruan se është themeluar në vitin 2006, edhe pse në regjistrin e ARBK-së figuron e regjistruar në vitin 2008.
RUGOVE Sh.P.K. është në pronësi të biznesmenit Visar Kelmendi.
Produktet e saj përfshijnë: Ujë Rugove, Djath Rugove, Schmand Rugove, kos të kulluar, kos të freskët, jogurt të freskët, ajran të freskët dhe qumësht të freskët.
Ndryshe, vitin e kaluar ishte raportuar në media se “Ujë Rugove” ishte përfshirë në një skandal në Maqedoninë e Veriut, pasi ishin gjetur baktere koliforme në mostrat e ujit.
Çfarë është Aflatoxin M1?
Aflatoxin M1 është një toksinë (helm natyral) që formohet si derivat i Aflatoxin B1, një nga toksinat më të rrezikshme të prodhuara nga myqet e gjinisë Aspergillus.
Prania e Aflatoxin M1 në produktet e qumështit është shqetësuese sepse konsiderohet substancë me potencial kancerogjen, sidomos për mëlçinë. Mund të shkaktojë probleme kronike në funksionimin e këtij organi dhe të ndikojë në sistemin imunitar, duke e dobësuar organizmin dhe rritur ndjeshmërinë ndaj infeksioneve.

















