Gjykata lë në fuqi përmbarimin, Ministria e Mbrojtjes detyrohet të paguajë mbi 1.1 milion euro

E publikuar: 14/04/2026 07:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale e Kosovës, në shkallë të dytë, ka lënë në fuqi vendimin që obligon Ministrinë e Mbrojtjes të paguajë mbi 1.13 milion euro ndaj kompanisë “BAAF” SH.P.K, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e këtij institucioni, raporton Infosot.

Sipas aktvendimit të datës 19 shkurt 2026, gjyqtari Ramush Bardiqi ka vlerësuar se ankesa e Ministrisë së Mbrojtjes nuk qëndron dhe se vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Me këtë vendim, mbetet në fuqi edhe urdhri përmbarimor i lëshuar më herët nga përmbaruesi privat, përmes të cilit kërkohet realizimi i borxhit ndaj kompanisë nga Prizreni.

Rasti lidhet me një faturë të vitit 2023, në vlerë prej 1,130,116.63 euro, për të cilën kompania “BAAF” SH.P.K. kishte kërkuar përmbarim, duke pretenduar se Ministria e Mbrojtjes nuk e ka përmbushur detyrimin financiar. Përveç shumës bazë, kërkohet edhe kamata ligjore deri në pagesën përfundimtare, si dhe mbulimi i shpenzimeve të procedurës.

Në fazën e parë, Gjykata Komerciale kishte refuzuar prapësimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kishte lënë në fuqi urdhrin përmbarimor. Kundër këtij vendimi, ministria kishte ushtruar ankesë, duke pretenduar se fatura nuk përmbush kushtet për t’u konsideruar dokument i besueshëm dhe se kishte pasur vonesa në realizimin e kontratës nga ana e kompanisë.

Ministria kishte argumentuar se afati për dorëzimin e mallrave apo shërbimeve sipas kontratës kishte qenë 15 dhjetor 2022 dhe se kishte tejkalime të këtij afati, çka sipas saj e bënte të pabazuar kërkesën për pagesë. Në këtë linjë, ajo kishte kërkuar anulimin e urdhrit përmbarimor dhe rrëzimin e detyrimit financiar.

Nga ana tjetër, kompania kreditore kishte kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se fatura përmban të gjitha elementet ligjore dhe se nuk ekziston asnjë vonesë që mund të justifikojë mos-pagesën. Kompania kishte kërkuar që ankesa të refuzohet dhe vendimi i shkallës së parë të mbetet në fuqi.

Gjykata e shkallës së dytë, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin dhe pretendimet e palëve, ka arritur në përfundimin se fatura në fjalë përbën dokument të besueshëm dhe të vlefshëm për përmbarim. Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se dokumenti përmban të gjitha elementet e nevojshme ligjore, përfshirë identifikimin e palëve, shumën e detyrimit dhe afatin e pagesës.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se fatura është pranuar nga vetë debitori, duke qenë e nënshkruar nga personat përgjegjës, çka sipas saj e forcon bazën juridike për ekzekutimin e detyrimit. Në këtë kontekst, është konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për anulimin e urdhrit përmbarimor.

Sa i përket pretendimeve për vonesa, gjykata i ka cilësuar ato si të paqëndrueshme dhe të pambështetura në prova të mjaftueshme. Sipas vlerësimit të saj, këto pretendime nuk ndikojnë në vlefshmërinë e dokumentit dhe nuk e rrëzojnë detyrimin për pagesë.

Në përfundim, Gjykata Komerciale ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt, pa shkelje procedurale dhe me vlerësim të saktë të gjendjes faktike. Për këtë arsye, ankesa e Ministrisë së Mbrojtjes është refuzuar dhe vendimi i mëhershëm është vërtetuar në tërësi.

Ky vendim nënkupton se Ministria e Mbrojtjes mbetet e obliguar të përmbushë detyrimin financiar ndaj kompanisë “BAAF” SH.P.K., ndërsa procedura përmbarimore mund të vazhdojë për realizimin e kësaj pagese.

Ministria e Mborjtjes, shkalla e dyte-1_compressed