Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot është takuar me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të saj, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për vendin.
Abdixhiku njoftoi se gjatë këtij takimi është informuar për iniciativën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes.
“Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën. Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, kjo nismë synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, duke kontribuar njëkohësisht në përforcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi kreu i LDK-së.
Ai bëri të ditur se i ka shprehur Presidentes Osmani mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të aleancave strategjike.
“I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, ai ritheksoi përkushtimin e LDK-së ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët strategjikë të Kosovës.
“LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”, shtoi Abdixhiku.

















