Ish-ministrja e drejtësisë, aktualisht nënkryetare në detyrë e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka quajtur të padrejtë kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë që ish krerët e UÇK-së, të dënohen veç e veç me 45 vjet burgim.
Ajo shkruan se UÇK po trajtohet si të ishte shkak i luftës, e jo përgjigje ndaj terrorit shtetëror serb.
“Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare. Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan. Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë”, ka shkruar ajo.
Madje thekson se të kërkosh 180 vjet burgim në total për ish-drejtuesit e UÇK-së është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit.
“Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, ka shkruar Haxhiu.

















