Ish-këshilltari i Thaçit e quan të tmerrshëm procesin gjyqësor: Politik dhe i pabazuar në fakte

E publikuar: 09/02/2026 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ardian Arifaj, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, e përshkroi si “tmerr” procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke theksuar se ai ka dalë krejtësisht nga misioni për të cilin ishte themeluar dhe po shndërrohet në një gjykatë me motive politike, raporton Ekonomia Online.

Arifaj kritikoi kërkesat dhe procedurat e përdorura gjatë viteve të fundit, duke vënë në dukje mungesën e fakteve konkrete që lidhin të akuzuarit me vepra kriminale.

Ai tha se procesi po dëmton aspiratat e popullit të Kosovës për liri, barazi dhe drejtësi.

“Me e përshkrua me një fjalë krejt procesin i cili më së miri po përmbyllet me këtë që po shohim sot, pra me këto deklaratat e sot, është tmerr. Pra është e tmerrshme që në shekullin 21 në Evropë të kemi një proces të tillë politik me motive politike, një proces që krejtësisht ka dalë prej binarëve, prej rrugës në të cilën është nisur ose arsyes për të cilën është themeluar, edhe po kthehet në një proces kundër krejt Kosovës, kundër krejt aspiratave të popullit të Kosovës për liri, për barazi, për drejtësi, edhe krejt asaj që është arritur në Kosovë nga populli i Kosovës, po edhe në bashkëpunim, në partneritet, në aleancë me perëndimin”, tha ai.

E kërkesën e kryeprokurores Kimberly West që të shqiptohet dënimi prej 45 vjetësh për secilin veç e veç, Arifaj e konsideron kërkesë pa ndonjë logjikë dhe kërkesë të papranueshme.

“Më së pari është kërkesë e papranueshme, sigurisht. Është një kërkesë e cila nuk të jep ndonjë shënjë për ndonjë logjikë aty i pamë edhe krahasimet që filluan menjëherë me u bë me dënimet që janë dhënë në raste tjera, gjithmonë kanë qenë më të ulëta. Po jemi duke folur për rastet kur vërtet kanë qenë fajtorë ata të pandehurit. Ajo që është më e rëndësishme këtu është që besojmë që as nuk ka pasur arsye me u mbajt 5 vite në paraburgim, as s’ka thënë që janë raste të tjera, e le mo që aty të ketë diçka për ti ardhur era, për t’i jep erë procesit sikur ka diçka që kanë këta ndonjë përgjegjësi për atë që është folur. Nga ajo që kemi parë deri tani, asnjëherë nuk është dëshmuar ndonjë vepër kriminale e cila i lidh me këta të katërtit. Po dëgjojmë edhe fjalën përfundimtare sot, përsëri prokurorët janë duke folur më shumë me hamendësime, duke provuar me ndërtuar raste, sesa me fakte konkrete. Gjithë këto vite asnjë fakt konkret nuk e kemi parë ne, por edhe vetë mbrojtja po thotë që në ato seancat e mbyllura nuk janë prezantuar fakte që munden me dhënë arsye për çfarëdo dënimi, e le mo të flasim për dënime të rënda”, tha ai.

Ai tha se  në fund të këtij procesi presin vendimi lirues për ish-krerët duke theksuar se gjykata ka devijuar nga qëllimi i saj origjinal, që ishte pastrimi i emrit të UÇK-së.

“Definitivisht që po. Sepse e thamë, një nuk ka pasur, nuk kemi parë edhe nga ajo që po dëgjojmë prej mbrojtjes nëpër media, nuk janë prezantuar fakte. E dyta, është kthyer në një gjykatë politike e cila ka devijuar plotësisht nga synimi për të cilin është themeluar. Gjykata kur është themeluar, është themeluar për me e heq atë njollë prej emrit të UÇK-së, e mbajmë mend raportin e Dick Marty-t që e ka pas hedhë disa njolla shumë të zeza, shumë të errëta mbi emrin e UÇK-së, edhe arsyeja e kësaj gjykate ose e përkrahjes si ide për me themelu këtë gjykatë ka qenë që të hiqen ato njolla nga emri i UÇK-së, që të jepet një fjalë përfundimtare, pra e vërteta për UÇK-në dhe atë se çfarë ka ndodhë gjatë luftës në Kosovë. E jo të devijojë krejtësisht, të kthehet në një dhomë e cila nuk bën asgjë tjetër vetëm se tenton ta ndryshojë narrativin për atë se çfarë ka ndodhë në Kosovë, pse ka lindur UÇK-ja, çfarë ka bërë UÇK-ja edhe si erdhëm deri te liria në Kosovë”, tha ai.

Ai kërkoi që politika të qëndrojë jashtë procesit dhe vendimet të merren vetëm mbi baza faktike.

“Pra është një proces, nuk mundem me e quajt as gjykatë, që ka devijuar krejtësisht nga misioni i vet edhe ka marrë një mision krejt politik. Kjo e bën shumë më të rëndë, kjo e bën shumë më të vështirë të besojmë që politika nuk është e përfshirë, por e bën edhe më të madhe kërkesën tonë që politika të qëndrojë jashtë edhe ky institucion të merret vetëm me drejtësi, të merr vendime vetëm bazuar në fakte e jo nga preferencat politike”, tha ai

Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly Ëest, ka kërkuar nga 45 vjet dënim veç e veç për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ëest i kërkoi Gjykatës Speciale po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.

“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha Ëest.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me dhunë, si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.