Janë sekuestruar 7 kilogram marihuanë në vlerë tregu rreth 35 mijë euro, e ku është arrestuar një person.
Po ashtu në cilësi të provave materiale thuhet të jenë sekuestruara katër vetura.
Njoftimi i plot:
Me datën 09 shkurt 2026 Policia e Kosovës, më saktë Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar një plan taktik të paraprirë nga hetimet paraprake, ku në pikën kufitare në Merdare është ndaluar një veturë e dyshuar me targa të huaja, e drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur dhe janë konfiskuar rreth 7 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në vlerë tregu rreth 35,000 (tridhjetë e pesë mijë €).Lidhur me rastin, në koordinim me Prokurorinë Themelore-Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është realizuar kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, ku në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
• 7 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë (e ndarë në 24 paketime),
• 4 vetura,
• 1 telefon,
• 9 paketime me qese plastike, dy rollne plastike,
• 2 aparate për vakum,
• 2 peshore digjitale si dhe prova tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Lidhur me rastin, personi i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë.

















