Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gostivar, ku një grua u gjet e varrosur pasi u vra nga një burrë 53-vjeçar, për motive akoma të panjohura.
I dyshuari për këtë krim është nga fshati Negotinë, Komuna Vrapçishtit, u zbulua se e kishte privuar nga jeta viktimën dhe rastin e zbuloi bashkëshortja e tij.
Sipas Policisë, fillimisht djali i të ndjerës e ka raportuar rastin, pas zhdukes së nënës së tij.
“Më 09.12.2025, J.M. (34) nga Gostivari ka raportuar se nëna e tij H.A. (53) nga fshati Raven, Gostivar, ishte larguar nga shtëpia, dhe më vonë në kamerat e sigurisë vuri re se më 07.12.2025 ajo ishte marrë me një automjet pasagjerësh “Fiat”, pas së cilës ajo nuk kishte qasje në telefonin e saj. Ai gjithashtu raportoi se në kamerat e sigurisë kishe vënë re se natën ndërmjet 06.12. dhe 07.12.2025 personi S.M. kishte hyrë dhe kishte kërkuar në shtëpinë e tij dhe se ishin marrë para nga dhoma e tij”, ka njoftuar Policia atje.
Pas denoncimit, organet e rendit u aktivizuan dhe e ndaluan të dyshuarin, por i njëjti kishte dhënë deklaratë të rreme.
“Më 11.12.2025 në orën 02:15, S.M. është privua nga liria me dyshimin se e kishte detyruar H.A. të largohej nga shtëpia me të. Pas marrjes së masave në lidhje me rastin dhe pas kontrolleve të kryera të video-incizimeve, është konstatua se i dyshuari kishte dhënë dëshmi të rreme në stacionin policor. Gjithashtu, nga listingu i thirrjeve i marrë, është konstatuar se H.A. për herë të fundit kishte kontaktuar me të më 07.12.2025”.
Megjithatë, pikërisht gruaja e tij u bë ‘sebep’ që ky rast i tmerrshëm të zbardhet.
“Më vonë, me urdhër të gjykatës, është kryer bastisje në shtëpinë e S.M., pas së cilës është privuar nga liria edhe bashkëshortja e tij Gj.V. (48). Në një bisedë zyrtare në stacionin policor, Gj.V. ka pranuar se bashkëshorti i saj S.M. e kishte vrarë viktimën H.A. me pistoletë dhe kishte treguar vendin se ku e kishte varrosur. Pas kësaj, punonjësit e policisë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar në prani të prokurorit publik kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në fshatin Negotinë, ku u gjet trupi i H.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë.


















