Një incident tronditës ka shkaktuar reagime të forta në Turqi, pasi një video e regjistruar nga një prind në një shkollë speciale në Prusi tregoi nxënës me autizëm të lidhur me litarë në bankat e tyre gjatë orës së mësimit.
Pamjet, të bëra publike së fundi, kanë ngritur shqetësime të thella për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në institucionet arsimore të vendit.
Sipas Milliyet, autoritetet reaguan menjëherë pas publikimit të videos. Drejtoria rajonale e Arsimit Kombëtar njoftoi fillimin e një hetimi të plotë zyrtar. Rasti lidhet me një shkollë që strehon fëmijë të moshës 9 deri në 16 vjeç me autizëm dhe nevoja të tjera të veçanta.
Një nga prindërit, Tulay Gürel, nëna e një fëmije autik që ndjek të njëjtën shkollë, përshkroi një realitet të rëndë që – sipas saj – dëmton rëndë mirëqenien e fëmijëve.
“Këta fëmijë duhet të mësojnë në ambiente të qeta dhe të përshtatshme. Ka mësues që reagojnë vazhdimisht në mënyrë negative ndaj tyre. Djali im është 11 vjeç dhe ka autizëm. Kur studionte në Konya, madje vizatonte. Pas zhvendosjes këtu, problemet nisën. E çonim fëmijën në shkollë dhe i thoshin: ‘Nuk mund të hysh brenda, është e ndaluar’”, rrëfeu ajo.
Gürel theksoi se mjedisi i papërshtatshëm shkollor ka ndikuar rëndë në psikologjinë e fëmijës së saj.
“Qëndrimi në një ambient që nuk është i përshtatshëm i shkakton atij dëme të mëdha. Ka mësues që shfaqin dhunë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së njohurive dhe edukimit. Ata i lidhin për t’i kontrolluar”, u shpreh ajo për mediat turke.
Publikimi i videos ka shkaktuar një valë të gjerë zemërimi në opinionin publik në Turqi, ndërsa hetimi i autoriteteve vijon për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve me nevoja të veçanta./TopChannel

















