Ukraina ka pranuar të kufizojë ushtrinë e Ukrainës në 800,000 anëtarë të shërbimit, sipas planit të diskutuar dhe miratuar nga zyrtarë ukrainas, raportoi sot “Financial Times”.
Një ushtri ukrainase e kësaj madhësie do të mbetej ende forca e dytë më e madhe evropiane pas Rusisë dhe do ta afronte atë me forcën e saj aktuale të kohës së luftës prej rreth 900,000 anëtarësh të shërbimit ushtark.
Lajmi vjen pasi një plan fillestar paqeje, i prezantuar nga Uashingtoni javën e kaluar dhe i kritikuar për kushtet që favorizojnë Rusinë, propozoi kufizimin e forcave ukrainase në 600,000 trupa.
Dokumenti origjinal me 28 pika u nda në 19 pika pas konsultimeve SHBA-Ukrainë në Gjenevë, megjithëse përmbajtja e tij e plotë nuk është bërë publike.
Çështjet më të ndjeshme, përkatësisht ato që lidhen me territorin, do të trajtohen më vonë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ndërsa një zyrtar amerikan i cituar nga “CBS News” tha se Ukraina ka rënë dakort me marrëveshjen e rishikuar të paqes, qëndrimi i Moskës mbetet i paqartë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Rusia nuk e kishte marrë zyrtarisht versionin e ri, por paralajmëroi se Moska do ta refuzonte atë nëse nuk përmbusheshin kërkesat e saj të hershme.
“Ka disa detaje delikate, por jo të pakapërcyeshme, që duhet të zgjidhen dhe do duhen bisedime të mëtejshme midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Ukraina nuk e ka konfirmuar publikisht se është pajtuar me kufizimin e numrit të forcave ushtarake.
Gazeta “Kyiv Independent” ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Ukrainës për të dhënë një deklaratë.
Kievi ka kohë që pohon se çdo kufizim në forcat e tij të armatosura përfaqësonte një “vijë të kuqe” që nuk ishte i gatshëm ta kalonte.
Kufiri prej 800,000 trupash pasqyron një kundërpropozim që thuhet se është paraqitur më herët nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania në përgjigje të dokumentit me 28 pika të SHBA-së.
Versioni përfundimtar i planit të paqes, i hartuar për t’i dhënë fund luftës ruse në shkallë të plotë – që vazhdon për gati katër vjet – mbetet i paqartë pasi SHBA-ja thuhet se ka zhvilluar bisedime të reja me Ukrainën dhe Rusinë, në Abu Dhabi.

















