Kryeministri Kurti nderon Joe dhe Shirley DioGuardi në SHBA: Zëri i shqiptarëve në kohët më të vështira

E publikuar: 28/09/2025 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ka përkujtuar dhe nderuar kontributin historik të Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij, Shirley, në mbështetje të çështjes shqiptare dhe Kosovës në politikën amerikane.

Në një postim publik, Kurti theksoi rolin qendror që DioGuardi pati në lobimin për ndërhyrjen e SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, mbrojtjen e UÇK-së dhe përkrahjen për pavarësinë e vendit. Ai u shpreh se “Joe ishte zëri ynë në kohë kur askush tjetër nuk donte të dëgjonte për ne”, ndërsa vlerësoi edhe Shirley DioGuardin për bashkëpunimin e palodhur në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë për popullin e Kosovës.

Kryeministri i uroi çiftit DioGuardi ditëlindjet, duke i cilësuar veprat e tyre si shembull frymëzimi për miqësinë dhe ndërgjegjen njerëzore në shërbim të lirisë.

Postimi i plotë:

Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi.

Teksa ai qëndronte në krah të vërtetës dhe popullit tonë, përkrah tij qëndronte bashkëshortja e tij, Shirley. Bashkë, lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja të mos përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për t’u siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon, mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë.

Mbrëmë Joe festoi ditëlindjen e 85-të, kurse Shirley të 75-të. Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij.
Gëzuar! Qofshi të bekuar me shëndet dhe gëzim!