Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.), si prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend me mbi 90% të prodhimit për konsum vendor, ka arritur një marrëveshje që garanton stabilitet tarifor dhe mbron konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026.
Përmes, një komunikate për media të KEK, thuhet se në kuadër të procesit të shqyrtimit tarifor për vitin 2026 dhe bazuar në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), është theksuar nevoja për koordinim ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s (Furnizuesit të Shërbimit Universal), me qëllim ruajtjen e stabilitetit tarifor dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Në këtë kontekst, KEK ka arritur marrëveshjen për zbatimin e një mekanizmi të profilizimit të kostove, i cili parasheh riprogramimin e obligimeve që lidhen me furnizimin me energji elektrike për periudhën janar–mars 2026. Qëllimi i këtij mekanizmi është shpërndarja më e balancuar e barrës financiare ndërmjet viteve tarifore, duke shmangur ndikimin e menjëhershëm në tarifa.
Pikat kryesore të marrëveshjes:
Parashihet një mekanizëm i përkohshëm për riprogramimin e obligimeve financiare të KESCO-s (FSHU) për periudhën janar–mars 2026;
Shtyhet pagesa e obligimeve ekzistuese me qëllim lehtësimin e barrës financiare afatshkurtër;
Pagesa e obligimeve të riprogramuara realizohet me këste të barabarta në një periudhë të mëvonshme;
Mundësohet shpërndarja e kostove ndërmjet viteve tarifore, duke shmangur ndikimin e menjëhershëm në çmimin e energjisë;
Kushtet kontraktuale ekzistuese mbeten në fuqi dhe zbatohen sipas marrëveshjeve përkatëse.
Rezultati:
Shmanget rritja e tarifave për vitin 2026, në përputhje me vlerësimet e raportit konsultativ të ZRRE-së;
Ruhet stabiliteti i furnizimit me energji elektrike;
Mbrohen interesat e konsumatorëve fundorë në Republikën e Kosovës.
KEK mbetet i përkushtuar në rolin e tij strategjik për garantimin e sigurisë energjetike dhe stabilitetit të sektorit energjetik, në funksion të interesit publik.


















