Alban Hyseni: Me qendra si Pro Coders, po e rrisim një Gjilan konkurrues në epokën digjitale

E publikuar: 27/09/2025 19:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot Qendrën Edukative për Teknologji “Pro Coders”, ku mbi 250 nxënës po përgatiten profesionalisht në fushën e teknologjisë dhe programimit.

I pritur nga drejtuesi i qendrës, Ramiz Kastrati, Hyseni u njoh nga afër me punën dhe misionin e institucionit për të ndërtuar një gjeneratë të aftë për tregun global digjital.

Ai rikujtoi bashkëpunimin me këtë qendër gjatë mandatit të tij, përfshirë organizimin e Javës “Vajzat në ICT 2025”, që synonte fuqizimin e vajzave në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

“Gjilani ka potencial të madh në teknologji, dhe ne do të vazhdojmë të investojmë në dije dhe të rinj,” tha Hyseni, duke theksuar përkushtimin për një të ardhme digjitale dhe gjithëpërfshirëse për qytetin.