Juventusi po mendon seriozisht të aktivizojë Edon Zhegrovën në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Interit në “Allianz Stadium”. Trajneri Igor Tudor po e vlerëson mundësinë që kosovari të debutojë pikërisht në derbin e Italisë, ndonëse mungesa e tij nga fusha ka qenë e gjatë.
Paraqitja e fundit zyrtare e Zhegrovës daton më 14 dhjetor të vitit të kaluar, që do të thotë se përballja me Interin do ta gjente atë në fushë pas plot nëntë muajsh. Arsyeja e mungesës së tij ka qenë një problem me muskujt aduktorë, i cili fillimisht ishte parashikuar të zgjaste vetëm një muaj, por u shndërrua në një pauzë pesëmujore, duke e mbajtur jashtë gjithë pjesës së mbetur të sezonit.
Megjithatë, mjekët e Juventusit i kanë dhënë dritën jeshile pas kontrolleve të hollësishme në “J Medical”, duke garantuar se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Edhe pse ka marrë pjesë në përgatitjet parasezonale me Lille, ai nuk ka luajtur në ndeshjet e para zyrtare, për shkak të procesit të transferimit te bardhezinjtë.
Aktualisht nuk ka shqetësime të reja për gjendjen e tij, por stafi teknik është i vetëdijshëm se Zhegrova ka ende nevojë për kohë për të rifituar ritmin e ndeshjes. Prandaj, pak gjasa ka që të jetë titullar kundër Interit, por tifozët e Juventusit mund të shpresojnë ta shohin në fushë gjatë pjesës së dytë.

















