“Rrahje deri në vdekje nga policia”, kërkohet drejtësi për vdekjen e të riut në Lipjan

E publikuar: 07/07/2025 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familja Zejnullahu nga Lipjani po kërkon drejtësi për vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili ndërroi jetë të dielën në rrethana sipas tyre të paqarta, e ku po dyshohet se shkaktarë ka qenë ndërhyrja nga patrulla policore në rrugën “Haradin Bajrami”, rreth mesnatës së 7 korrikut.

Agroni dyshohet se ka qen i dehur dhe aty kanë ndërhyrë policët, ku gjatë arrestimit edhe e kanë goditur. Kjo po dyshohet se ishte edhe arsyeja e vdekjes së viktimës.

Sipas vëllait të tij, Alban Zejnullau, Agoni është pranuar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Lipjan, me dhjetëra shenja në trup.

Zejnullahu për KosovaPress, thotë se rreth orës 01:00 pas mesnate, familja u njoftua shkurtimisht nga autoritetet që të paraqitet në emergjencë.

Ai shtoi se policia është shmangur nga familja dhe nuk ka dhënë asnjë informacion të detajuar për ngjarjen.

“Ka qenë rreth orës më shumë se 01:00 pas mesnatës kur na kanë kumtuar rastin për me ardhë. Veç na kanë thënë policia duhet me shkuar në emergjencë. Nuk na kanë dhënë detaje tjera. Kur jemi shkuar aty na kanë kumtuar mjekët që trupi është i pajetë, janë shmangur dhe nuk na kanë treguar detaje tjera. Faktikisht i kanë thënë mjekës janë rreh disa persona hajde merreni, veç rrahje i kanë thënë. Kur ka shkuar kjo e kanë gjetur të vdekur, të lidhur, me më shumë se 20 shenja nëpër trup. I kam fotografitë, kur mjekja ka konstatuar që vdekja ka ndodhë para se me ardhë në emergjencë. Ne i posedojmë videot prej qytetarëve që falënderojmë dhe mediat. Në këtë rast shteti ka dashtë me hesht këtë fakt që ka qenë. Kemi videon kur edhe pas goditjes së fundit me brtima, jep frymën e fundit…Nuk qëndrojnë, mënyra qysh e kanë shpërfaq, nuk e kemi njoftuar as ne, si person të tillë, ka persona që flasin fjalë të mira për të, nuk lejohet në një shtet demokratik të ushtrohet dhunë deri në vdekje”, thotë Zejnullahu.

Ai flet edhe për shmangien që familjes iu është bërë nga policia.

Zejnullau: Policia iknin prej neve

“Policia janë shmang, nuk na kanë dhënë detaje, ikshin prej neve. Nuk e kemi kuptuar arsyen, mendoja që ka ndërhyrë policia dhe isha i gatshëm të kërkojë falje nëse ju ka shkaktuar problem, por nga videot kur goditet… E kam të fotografuar gjitha shenjat, brinjë të thyer, qarje të vetullave…pasi na kanë sjellë trupin”, shton Zejnullahu.

Albani kujton edhe bisedën e fundit me Agonin, një ditë para ngjarjes.

“Biseda e fundit ka qenë normale, dje. Ka qenë shumë i lidhur me fëmijët e mi. Dhe ishin tek dajtë e vet dhe me pyetke pse nuk janë këtu, pastaj doli pastroj në oborr, sikur ndjente që do të ndodhte diçka e tillë”, rrëfen Zejnullahu.

Familja Zejnullahu ka paralajmëron ndjekje të rastit deri në instancën më të lartë ligjore.

“Deri në instancën e fundit do të ndjekim. Shpresojmë dhe besojmë se pas publikimit të videove do të marrim seriozisht këtë rast nëse nuk del e vërteta do të ndjekim në çdo aspekt”, tha ai.

Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e vdekjes së një qytetari në qytetin e Lipjanit, pas një ndërhyrjeje nga patrulla policore në rrugën “Haradin Bajrami” – rreth mesnatës së 7 korrikut.

Sipas IPK-së, hetuesit kanë intervistuar dëshmitarë okularë dhe kanë nisur mbledhjen e provave materiale, duke përfshirë incizime nga kamerat e sigurisë dhe telefonat celularë, të cilat do të përdoren në analizat e mëtejshme për të përcaktuar nëse veprimet e policisë ishin në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet profesionale.

“Në mënyrë të përkohshme, janë suspenduar pesë punonjës të Policisë së Kosovës – përfshirë një rreshter dhe katër policë – si masë administrative ndërmjetëse, për të siguruar një hetim të paanshëm pa ndikim në vijimësinë e tyre ligjore apo profesionale. IPK thekson se trajtimi i rasteve me pasoja tragjike është prioritet i lartë dhe çdo dëm individual apo institucional do të adresohen në përputhje me gjetjet e hetimit dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.