Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit

E publikuar: 07/07/2025 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Konstituimi i Kuvendit dështoi edhe për herën e 43-të. Vazhdimi i kësaj seance dështoi në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Në sallë kanë qenë të pranishëm 99 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka bërë thirrje për paanshmëri dhe integritet nga kryesuesi, Dehari.

“Në emër të PDK-së, dhe në emër të përgjegjësisë që kemi ndaj qytetarëve që na kanë votuar, ju ftoj kryesues që të ushtroni detyrën tuaj pa anshmëri, integritet dhe respektim të plotë të kushtetutshmërisë. Kosova ka nevojë, dhe meriton institucione”, ka thënë ajo.

Edhe, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa ka bërë thirrje të kthehen në kornizën kushtetuese dhe te tejkalojnë këtë situatë.

“LDK ka një propozim, ju lutem kthehuni në kornizën kushtetuese, te tejkalojmë këtë shoë”, ka thënë Mustafa.

Derisa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli deputetja, Time Kadrijaj, e cila me ironi ka theksuar se kryesuesi Dehari po udhëheqë mirë seanca, dhe nuk kanë tjerë më besnik.

“Ne e kemi propozuar kandidatin, nuk po e ndryshojmë, por e kemi edhe një propozim, meqë aq mirë zotëri Dehari po udhëheqë seancat, nuk kemi asnjë më besnik”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërsa, fjalën ua ndali kryesuesi, duke bërë thirrje të mos keqpërdoret mikrofoni, nëse nuk zgjidhje për të dalë nga situata.

“Ju lutem regjia të ndërpresë mikrofonin, të mos keqpërdoret mikrofoni, vetëm për ata që kontribuojnë për zgjidhjen e situatës”, ka thënë Dehari.

Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, pas së cilës deputetët e zgjedhur janë betuar por nuk kanë arritur ende t’i formojnë trupat e legjislativit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme – në votim të hapur – për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.

Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.

Thirrje për të dalë nga kjo krizë institucionale ka brenda dhe jashtë Kosovës, shkruan KosovaPress.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike – si përpjekje për ta zgjidhur ngërçin, por të gjitha të pasuksesshme.