Prindërit e Arbnor Spahiut kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët për lirimin e djalit të tyre

E publikuar: 16/06/2025 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prindërit e ish-policit Arbnor Spahiu, kanë dalur me deklaratë për djalin e tyre që u arrestua në Serbi, e që po mbahet në paraburgim atje, për vrasje të rëndë në Banjskë, anipse Arbnori, kishte dhënë dorëheqje nga policia gati një vit para sulmit në Banjskë. Ai jetonte në Gjermani. Prindërit e tij kanë kërkuar ndihmë edhe nga ndërkombëtarët për Arbnorin.

“Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë. Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.”

“Kjo është arsyeja pse ne, si prindër, e konsiderojmë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore. Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.”

“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet.”