Ramize Bajaraktari nga kjo Bibliotekë tha se libri është i shenjtë dhe si i tillë duhet të trajtohet, me respektin dhe dashurinë më të madhe.
Suzana Berisha
Dita Ndërkombëtare e Librit nga viti në vit gjithnjë e më shumë po shënohet në mënyrë sa më masive edhe në Kosovë. Duke e përkrahur këtë ditë, edhe tempulli i librit – Biblioteka Kombëtare, mëngjesin e së enjtes mbajti takim me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, bashkë me studentë e dashamirë të librit.
Një thirrje për sa më shumë lexim vazhdoi të jetë edhe sivjet kryesorja në këtë ditë.
Ramize Bajaraktari nga kjo Bibliotekë tha se libri është i shenjtë dhe si i tillë duhet të trajtohet, me respektin dhe dashurinë më të madhe.
“Ne nga ju gjeneratat e reja presim shumë, ju jeni ata që duhet të bëni më të mirën për Kosovën, ju jeni bartës të zhvillimeve të reja në Kosovën, Libri është pasuria shpirtërore e popujve, e kombeve të botës. Kush ka një libër, ka një thesar, thotë një fjalë popullore. Me shpikjen e librit përparoi me hapa gjigantë zhvillimi e arsimi, shkenca dhe kultura. Libri është ai që është i lehtë dhe prej letre, mirëpo ai ka një forcë të jashtëzakonshme dhe të madhe sa të ngre njeriun në maja të universit” u shpreh Bajraktari.
Gjithashtu edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Tefik Mehmeti, inkurajoi të rinjtë që të lexojnë sa më shumë libra pasi që leximi është virtyti më i mirë njerëzor.
“Ideja për të përkujtuar librin e ka origjinën në zonën e Katalonisë në Spanjë, që sipas një ligji të asaj kohe, atij që blinte një libër i dhurohej një trëndafil. Të kujtojmë se 23 prilli është shpallur si Ditë Ndërkombëtare e Librit me rezolutë nga UNESCO, ku sipas tyre libri pati mundësinë më të fuqishme për të përhapur dije dhe mjet më i përshtatshëm për të arkivuar dijen e epokave të civilizimit” tha Mehmeti.
Krejt në fund, Biblioteka Kombëtare për nxënësit dhuroi libra falas. /KultPlus.com