Një ditë pas deklaratave të Macron për mundësinë e dërgimit të trupave në Kiev, ka reaguar ministri i jashtëm i Italisë Antonio Tajani, i cili e ka përjashtuar mundësinë që vendi i tij të marrë pjesë ushtarakisht në aksione kundër Rusisë.
“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë dhe nuk do të dërgojmë ushtarë italianë. Sigurisht që mbrojmë të drejtën e Ukrainës për të qenë shtet i pavarur.” – deklaroi ai.
Deklarata e presidentit francez u përforcua edhe nga ajo e sekretarit të jashtëm britanik Cameron, i cili kishte folur për të drejtën e Kievit për të përdorur armët angleze për sulme kundër rusëve brenda territorit të tyre.
Moska reagoi ashpër kundër Francës dhe Anglisë, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës.
“Deklaratat Sekretarit të Jashtëm britanik David Cameron mbi të drejtën e Kievit për të përdorur armët britanike për të goditur Rusinë janë nxitje për një përshkallëzim të drejtpërdrejtë, që mund të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane.” – tha zëdhënësi rus, Dmitry Peskov.
Ndërkaq, Kievi i druhet një sulm rus për Pashkë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shkojnë në kishë.