Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka deklaruar se Gaza është e mbuluar me më shumë mbeturina dhe rrënoja sesa Ukraina, duke theksuar se pastrimi i kësaj zone është i kushtueshëm dhe i rrezikshëm për shkak të sasisë së madhe të asbestit dhe municioneve të pashpërthyera
Gaza është e mbuluar me më shumë mbeturina dhe rrënoja sesa Ukraina, ka thënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 1 maj.
Sipas OKB-së, pastrimi i kësaj zone do të jetë i kushtueshëm dhe i rrezikshëm shkaku i sasisë së madhe të asbestit dhe municioneve të pashpërthyera.
Gjashtë muaj pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Shërbimi i Kombeve të Bashkuara për Veprimin ndaj Minave (UNMAS) vlerësoi se në Rripin e Gazës kishte 37 milionë tonë mbeturina në mes të prillit, ose 300 kilogramë për metër katror.
“Gaza ka më shumë rrënoja sesa Ukraina, dhe për ta pasur këtë më në perspektivë, vija e frontit ukrainas është 600 milje (afërsisht 1.000 kilometra) e gjatë dhe Gaza është 25 milje (40 kilometra)”, tha Mungo Birch, kreu i programit UNMAS. në territoret palestineze.
Por volumi i rrënojave nuk është problemi i vetëm, ka thënë UNMAS-i.
“Këto rrënoja ka të ngjarë të jenë shumë të kontaminuar me UXO (minicione të pashpërthyera), por pastrimi i tyre do të komplikohet edhe më tej nga rreziqe të tjera në rrënoja”, u ka thënë Birch gazetarëve në Gjenevë.
“Vlerësohet se ka mbi 800.000 ton asbest, për shembull, vetëm në rrënojat e Gazës”,ka shtuar ai.
Asbesti është një mineral që shkakton kancer e që përdoret në ndërtim. Për trajtimin e këtij materiali kërkohen masa paraprake të veçanta.
Në përgjithësi vlerësohet se 10 deri në 15 për qind e municioneve të gjuajtura nuk shpërthejnë dhe për këtë arsye përfaqësojnë një rrezik të madh për popullsinë civile.
Birch ka thënë se shpresonte që UNMAS-i, që punon për të zbutur kërcënimet e paraqitura nga të gjitha llojet e mjeteve shpërthyese, do të bëhet organi koordinues për veprimin ndaj minave në Gazë.
Kjo agjenci ka siguruar pesë milionë dollarë fonde, por i duhen edhe 40 milionë dollarë të tjera për të vazhduar punën e saj në Gazë gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Megjithatë, “sektori në tërësi do të ketë nevojë për qindra miliona dollarë amerikanë gjatë shumë viteve në mënyrë që ta bëjë Gazën përsëri të sigurt për popullsinë”, ka shtuar Birch.
Një takim i aktorëve kryesorë në këto operacione të ardhshme u mbajt dy javë më parë në Aman, nën udhëheqjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
UNDP-ja po piloton planin e pastrimit dhe pjesëmarrësit disktuan për mjetet dhe metodat e mundshme që mund të kërkohen kur të vijë koha.
“Për shkak se niveli i rrënojave është kaq i paprecedentë, do të duhet një mendim i ri se si do të vazhdojmë me pastrimin”, ka thënë Birch, raporton Radio Evropa e Lirë.
UNMAS-i ka thënë se 65 për qind e ndërtesave të shkatërruara deri më tani në Gazë janë objekte banimi dhe për pastrimin e rrënojave të tyre për 14 vjet do të duheshin 100 kamionë.
Megjithatë, një vlerësim i saktë për Gazën mbetet i pamundur për shkak të luftimeve, bombardimeve dhe vështirësive të qasjes.
“Derisa të jemi qenë në gjendje të kemi qasje në veri dhe ta bëjmë një vlerësim, nuk jemi të sigurt për nivelin e ndotjes”, ka deklaruar Birch.
Lufta e Gazës filloi pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, i cili rezultoi në vdekjen e 1.170 njerëzve, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së të shifrave zyrtare izraelite.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 34.568 njerëz në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi.