Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka pretenduar se shanset e Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës janë të mëdha, andaj Beogradi zyrtar po bënë çmos që ta parandalojë një gjë të tillë.
“Ne respektojë rregullat evropiane, gjithçka që kemi rënë dakord me Evropën dhe amerikanët.” – ka pretenduar ai në një konferencë për media.
Sekuenca e parë drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas Vuçiq, ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por ai ka pretenduar se një gjë e tillë nuk po diskutohet më.
“Kosova ka nevojë për votën e 31 vendeve anëtare, dhe ne besojmë se do të ketë nga 29 deri në 33 vota. Gjërat janë në kufi. Ne po luftojmë.” – ka shtuar ai.
Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.” – thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.
Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.” – thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.