Një 44-vjeçar shqiptar u qëllua me armë zjarri në një kafene, mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30, në Bruksel.
”Policia e veriut në Bruksel, u thirr për të shtëna në tarracën e një kafeneje, në rrugën Joseph Brand në Schaerbeek, të dielën më 28 prill rreth orës 22:30. Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, gjetën një burrë që vuante nga një plagë me armë zjarri. Viktima ishte në rrezik për jetën”, njoftoi policia.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet një burrë me kapuç që ka kaluar para viktimës dhe në një moment është kthyer me shpejtësi dhe më pas ka qëlluar 4 herë. Dy nga plumbat e kapën viktimën në kokë. Më pas autori u largua me shpejtësi. Viktima i identifikuar si Agustin Kaza ndodhet në gjendje kritike për jetën, njoftoi prokuroria e Brukselit përmes një komunikate për media.
”Prokuroria publike e Brukselit ia ka referuar një gjyqtari hetues akuzën për atentat në tentativë. Në vendngjarje ka dalë gjyqtari hetues i shoqëruar nga zëvendësprokurori i Mbretit në detyrë dhe laboratori i policisë gjyqësore federale në Bruksel.
Hetimi, i cili iu besua seksionit të vrasjeve të policisë gjyqësore federale në Bruksel, është në vazhdim, me qëllim përcaktimin e rrethanave të sakta të këtyre fakteve, kontekstin e tyre dhe kapjen e autorit(ve)”, njoftoi prokuroria belge, sipas Lapsi,al.
Kaza ndodhet në gjendje kome dhe se autoritetet dyshojnë se pas atentatit qëndrojnë çështje kanunore. Edhe policia shqiptare ka kërkuar informacion nga autoritetet belge.